Bota

Izraeli vrau një anëtar kyç të Hezbollahut në Rrafshnaltën e Golanit!

Ushtria izraelite njoftoi sot se ka eliminuar një tjetër anëtar të rëndësishëm të Hezbollahut, teksa vazhdon të sulmojë këtë grup militant të mbështetur nga Irani, ashtu si Hamasi.

Adham Jahout, anëtar i “Rrjetit Terrorist të Golanit” që vepron në kuadër të Hezbollahut, u vra nga një sulm ajror në zonën e Kuneitras në Siri. Jahout po mblidhte informacione nga burime brenda regjimit sirian, si dhe ka lehtësuar operacione kundër Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit.

Izraeli e ka aneksuar Rrafshnaltën e Golanit pasi luftoi kundër Sirisë në luftën e vitit 1967. Por, ky aneksim nuk është njohur nga shumica e shteteve.

Në një tjetër zhvillim, po ashtu, ushtria izraelite njoftoi se eliminoi edhe dy komandantë të Hezbollahut në jug të Libanit e se avionët e saj sulmuan depo të municionit në zonën e kryeqytetit libanez Bejrut. Identitetet e dy komandantëve nuk u bënë të ditur.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulmet e reja janë kryer ndërsa Amerika, aleate kryesore e Izraelit, paralajmëroi kundër bombardimeve në Liban, të ngjashme me ato që kanë shkatërruar Gazën.

Ushtria izraelite nisi ofensivën kundër Hamasit, pas sulmeve të grupit në jug të Izraelit, në tetor të vitit të kaluar, duke lënë më shumë se 1 mijë e 100 njerëz të vrarë. Bombardimet izraelite në qendër e në veri të Gazës, në ditët e fundit, kanë vrarë me dhjetëra njerëz, referuar burimeve nga zyrtarë palestinezë.

“Në Liban nuk duhet të ketë veprim ushtarak që të ketë ngjashmëri me të Gazës”, vuri në dukje zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, një ditë më parë. Ky paralajmërim erdhi pasi presidenti amerikan, Joe Biden, i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu se ekziston nevoja për marrëveshje diplomatike, për kthimin e libanezëve, si dhe të civilëve izraelitë në shtëpitë e tyre, në të dyja anët e kufirit.

Presidenti amerikan, Joe Biden e ka dënuar edhe sulmin e Iranit me raketa balistike ndaj Izraelit, më 1 tetor 2024, siç kanë njoftuar burime nga Shtëpia e Bardhë.