Gossip Music Rajoni

Ja se cilat janë qytetet ku mund të mbahet “Eurovision 2022”!

Mësohet së fundmi se qyteti i Romës nuk ka arritur të hyjë në listën e qyteteve mikpritësve të “Eurovision 2022”. Organizatorët njoftuan se Roma nuk është përfshirë në listën e pesë qyteteve italiane që konkurrojnë për të mirëpritur festivalin “Eurovision” vitin e ardhshëm. Në listë janë Milano, Bolonja, Rimini, Pesaro dhe Torino, të cilët po konkurrojnë për t’u zgjedhur si qyteti pritës për edicionin e 66-të të “Eurovision”-it vitin e ardhshëm.

Festivali po mbahet në Itali për herë të parë në tri dekada pasi grupi i Romës, Maneskin fituan këtë edicion në muajin maj me këngën “Zitti e buoni”. Brenda disa orësh nga triumfi i grupit, disa qytete italiane u paraqitën si kandidatë të përshtatshëm, me kryebashkiaken e Romës, Virginia Raggi, e cila e mendonte kryeqytetin si skenën perfekte.

Sidoqoftë, Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) dhe transmetuesi shtetëror italian RAI padyshim që nuk pajtohen me këtë gjë, që do të thotë se grupi Maneskin nuk do të ketë nderin të performojë në qytetin e tyre. Nuk dihet ende pse Roma nuk arriti të hyjë në listë, megjithatë qytetet kandidate pritet të plotësojnë një sërë kërkesash të përcaktuara qartë.

Këto përfshijnë të kesh një aeroport ndërkombëtar jo më larg se 90 minuta nga qyteti dhe më shumë se 2,000 dhoma hoteli në afërsi të vendit, të cilat duhet të jenë të pajisura me ajër të kondicionuar dhe salla të ketë një kapacitet prej minimumi 8,000 – 10,000 spektatorësh. Gjithsej 11 qytete dhe stadiume nisën ofertat, përfshirë këtu Romën.

Milano dhe Torino konsiderohen si më të preferuarat për t’u përzgjedhur, bazuar në kërkesat e “Eurovision”-it, si dhe praninë e studios televizive RAI në të dy qytetet. Edicioni i vitit 1991 i “Eurovision”-it u mbajt në Cinecitta Film Studios në Romë, ndërsa hera tjetër që Italia priti festivalin, pasi Gigliola Cinquetti fitoi në vitin 1964, ishte në Centro RAI në Napoli.

Rikujtojmë se, disa fjalë po qarkullojnë gjithashtu edhe për drejtuesit e “Eurovision 2022”. Në krye të listës së kandidatëve sipas atyre që po qarkullojnë janë Chiara Ferragni dhe Alessandro Cattelan, që njihet ndryshe si Jimmy Fallon i Italisë. Lajmi u përhap nga e përjavshmja “Oggi”, sipas së cilës “Rai” ja ka vënë sytë influenceres së njohur në të gjithë botën dhe moderatorit të suksesshëm.