Rajoni

Jakup Krasniqi në Hagë, vetdeklarohet “jofajtor” për krime lufte e kundër njerëzimit

Me Jakup Krasniqin, Dhomat e Specializuara të Hagës për Kosovën nisën seancat paraprake ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së. Ish-zëdhënësit të saj, i cili ka qenë kryetar i Kuvendit, iu lexua aktakuza për krime lufte e kundër njerëzimit, ku përfshihen vrasje, tortura, akte çnjerëzore, përndjekje e ndalime arbitrare. Krasniqi tha se ndaj tij po bëhet një padrejtësi dhe se nuk ka lidhje me asnjë prej pikave të akuzës e theksoi se asnjëra prej tyre nuk qëndron. “Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë”, – deklaroi Krasniqi.

Më tej, nënvizoi se “organizatorët e kësaj maskarade gjenden në Beograd”. Por, Gjykata pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer këto krime. Jakup Krasniqi u arrestua më 4 Nëntor, datë në të cilën u dërgua në Paraburgimin e Hagës.

Po sot, para Dhomave të Specializuara do të dalë ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilit gjithashtu iu konfirmua aktakuza dhe u dërgua në Paraburgimin e Hagës me kreun e PDK-së, Kadri Veseli e shefin e grupit të Vetvendosjes, Rexhep Selimi.