Bota

Japoni, takim Biden-Zelensky/Presidenti amerikan prezanton ndihmë të re për Ukrainën!

Ndërsa Rusia ka nisur të festojë fitoren në qytetin strategjik ukrainas, Bakhmut, sot presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën, në luftën e pandalshme kundër pushtimit rus. Ndër të tjera, ndihma përfshin municione, artileri dhe automjete të blinduara.

Në Hiroshima të Japonisë ku u mbajt samiti i Grupit G7, shefi i Shtëpisë së Bardhë takoi homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky. Biden tha se “Amerika po bën gjithçka që mundet për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës, në luftën e nisur nga Rusia më 24 shkurt të vitit të kaluar”.

Në Hiroshimë u bënë bashkë liderët e shtatë ekonomive kryesore të botës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Japonisë, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë e Kanadasë. Agjencia e lajmeve Reuters raporton se udhëheqësit e G7-ës e sinjalizuan Rusinë lidhur me gatishmërinë për të qëndruar pranë Ukrainës në terma afatgjatë.

Zelensky deklaroi:

Unë i prezantova botës formulën ukrainase të paqes, me dhjetë pika. Për sa kohë që pushtuesit janë në vendin tonë, askush nuk do të ulet në tryezën e bisedimeve me Rusinë. Bota ka fuqi të mjaftueshme për ta detyruar Rusinë të bëjë paqe. Bota jonë është e madhe, por ne të gjithë jemi së bashku në të. Që nga Japonia e deri te vendet arabe, nga Europa në Amerikën Latine, ne gjejmë mbështetje për formulën tonë.

Siç raportoi Reuters, kur këtë të diel, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u pyet nëse qyteti i Bakhmutit mbetet nën kontrollin e Kievit zyrtar, duket se konfirmoi humbjen e tij, duke thënë “mendoj që jo”. Para takimit me homologun amerikan Biden në Japoni, deklaroi:

Mendoj që jo, sot për sot është vetëm në zemrat tona!

Më vonë, presidenca ukrainase mohoi interpretimet se ky ishte konfirmimi i Zelensky-t për rënien e qytetit në duart e pushtuesve të Moskës.