Bota Tech

Japonia kthen sytë nga Hëna për burime ushqimi!

Japonia angazhohet në kërkime për prodhimin e burimeve të qëndrueshme të ushqimit në Hënë. Nëse arrihet objektivi, në të ardhmen do të zgjidhen sfida që vijnë si pasojë e ndryshimeve të klimës në tokë.

Qeveria dhe Agjencia Japoneze e Hapësirës po bashkojnë forcat me kompani të prodhimit të ushqimit e ato teknologjike, në një përpjekje për të bindur sektorin privat të përfshihet në biznesin e hapësirës.

Në projektin e financuar nga Tokio zyrtar, synohet të plotësohet kërkesa për furnizime ushqimore në misionet afatgjata, në Hënë. Përmes tij pritet të shqyrtohet rendimenti i prodhimit të brendshëm, si dhe planifikohet zhvillimi i teknologjisë për funksionimin e një objekti kultivimi me qark të mbyllur në Hënë.

Deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen grupi i kërkimit të ushqimit hapësinor “Space Foodsphere”, prodhuesi i erëzave “Ajinomoto” dhe integruesi i sistemit “NTT Data”.

Sipas raportit të institucionit financiar ndërkombëtar “Morgan Stanley”, industria globale e hapësirës aktualisht me vlerë 350 miliardë dollarë, parashikohet të gjenerojë një trilion, pas 19 vitesh.