Aktualitet

Java e fundit me nivelin më të ulët vjetor të testimeve për COVID në vend!

Ndërsa shumë vende të botës janë në alarm prej frikës së variantit të ri Omicron të koronavirusit dhe po shtojnë masat shtrënguese, në Shqipëri, në mënyrë të pashpjegueshme testimet kanë ardhur në ulje prej muajit tetor. Në javën e fundit, 30 nëntor-6 dhjetor, zbritën në kuotat më të ulëta në gati 13 muaj.

Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se në 7 ditët e fundit, numri i testimeve ra në një total prej 13.781 tamponësh ose në një mesatare ditore prej 1.968 testimesh. Krahasuar me javën pararendëse, bëhet fjalë për një tkurrje drastike prej 32.4%. Krahasuar me mesataren ditore në shtator, rënia është dyfish më e thellë, prej 61.5%.

Eshtë pikërisht ulja e numrit të tamponëve që ka sjellë dhe reduktimin, thuajse në të njëjtën masë, edhe të rasteve të reja, të cilat në total gjatë javës së fundit zbritën në 2.152 të prekur ose në një mesatare ditore prej 307 të infektuarish. Në Shqipëri, një mesatare e tillë ditore ka qenë edhe në fillim të gushtit, por kur ndërkohë testimet ishin më shumë se dyfishi, mbi 4.600 në ditë.

Dje ishte dita me më pak të infektuar, 172. Ata u identifikuan në 27 bashki të vendit: 78 në Tiranë, 16 në Berat, 11 në Vlorë, 10 në Fier, 6 në Durrës, Gjirokastër, 4 në Kamëz, Lushnje, 3 në Lezhë, Kurbin, Vorë, Mallakastër, Përmet, Kuçovë, 2 në Mirditë, Kavajë, Patos, Selenicë, Sarandë, Tepelenë, 1 në Kukës, Has, Krujë, Dibër, Delvinë, Skrapar, Gramsh.

Që ulja e totalit të të prekurve në javën e fundit ka qenë pasojë, thjesht dhe vetëm e rënies së testimeve, gjithashtu vërtetohet nga fakti që pozitiviteti jo vetëm nuk është ulur, por ka pësuar rritje të lehtë me 0.2 pikë përqindje, duke u ngjitur në 15.6%, nivel shumë i lartë. Aktualisht, në Itali llogaritet në pak më shumë se 3%, ndërsa në Francë, mbi 6%. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Sa i përket fataliteteve, për të 5-ën javë radhazi ishin në ulje. Gjatë javës së fundit, ato thuajse u përgjysmuan, duke zbritur në 23 viktima. Një ditë më parë u njoftua për 5 humbje jete: një qytetar 81-vjeç nga Berati, tre nga Tirana 85-91 vjeç dhe një 90 vjeçar nga Lushnja. Ndërkaq, duket se reflektojnë një përmirësim të situatës edhe në spitale, ku numri i pacientëve ka rënë e po ashtu dhe i atyre që trajtohen në terapi intensive. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalet COVID po marrin trajtim 145 pacientë, nga të cilët 13 janë në gjendje më të rënduar.