Aktualitet

Javën e ardhshme fillon shembja e ndërtimeve pa leje në bregdet!

Javën e ardhshme nis shembja e ndërtimeve pa leje në bregdet. Pronarët kanë afat deri të hënën e datës 7 qershor që t’i shembin vetë. Nëse jo, paralajmërohen pasoja! I shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe kreu i Kadastrës, Artan Lame, Rama ishte në Shëngjin.

Kryeministri Rama:

Javën e ardhshme, forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit nisin operacionin “Bregdeti Ynë” për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces, në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit, qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit. Pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit.

Unë dua që t’jua përcjell këtë mesazh të gjithë tyre që e dinë vetë që janë në kushtet e shkeljes së rëndë të ligjit: të lexojnë Kodin Penal dhe menjëherë të marrin masa tani, se do të jetë vonë nga e hëna e tutje për t’ju shmangur përballjes deri në fund me ligjin. Të lexojnë Kodin Penal se çfarë i pret në momentin kur konstatohet flagranca nga Policia e Shtetit dhe në momentin kur duhet të ballafaqohen drejtpërdrejt për këto shkelje të rënda, dhe të fillojnë t’i prishin vetë. Kjo është për t’u lehtësuar atë që pason!

Ndërkaq, Çuçi dhe Lame thanë se të dyja institucionet do të bashkëpunojnë për pastrimin e bregdetit shqiptar në këtë aksion që vjen pak javë para çeljes zyrtarisht të sezonit veror.