Tech

Jeff Bezos vjen me një ofertë për NASA-n!

Jeff Bezos dëshiron të bashkëpunojë me NASA-n duke i ofruar deri në 2 miliardë dollarë në një përpjekje për të rindezur betejën për hapësirën midis kompanisë së tij të raketave “Blue Origin” dhe “SpaceX” të Elon Musk.

Njeriu më i pasur i botës i bëri thirrje Administratorit të NASA-s, Bill Nelson në një letër të hapur duke ofruar të mbulonte miliarda dollarë në kostot e agjencisë hapësinore amerikane.

Duke vepruar kështu, Bezos shpreson që “Blu Origin” mund të rishikohet për një kontratë për të ndërtuar automjetin që do të ulë astronautët e ardhshëm në hënë. Propozimi i tij i pazakontë vjen disa muaj pasi NASA zgjodhi “SpaceX” mbi “Blue Origin” për një kontratë 2.9 miliardë dollarë për të ndërtuar automjetin.

Rikujtojmë, se pak më shumë se një javë pasi Richard Branson fluturoi në buzë të hapësirës, miliarderi tjetër Bezos fluturoi drejt hapësirës me një raketë dhe kapsulë të zhvilluar nga “Blue Origin”. Bashkë me të udhëtoi edhe vëllai i tij Mark, 82 vjeçarja Wally Funk, e cila ishte edhe personi më i vjetër që udhëtoi drejt hapësirës si dhe 18-vjeçari Oliver Daemen. 

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar përcaktimin e fjalës “astronaut”. Administrata Federale e Aviacionit ka thënë se me rregullat e reja, astronautë janë ata persona, të cilët janë pjesë e ekipit fluturues dhe kontribuojnë në sigurinë e fluturimeve hapësinore. Kjo nënkupton që Jeff Bezos dhe Richard Branson, mund të mos jenë astronautë në sytë e Qeverisë amerikane.