Celebrities Live From Tirana

“Jemi një qytet në depresion”/ Ekskluzivisht për TAR, Denis Dyrnjaja tregon se si ka ndryshuar Tirana ndër vite!

Sot, i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike në emisionin “Live From Tirana” ishte gazetari Denis Dyrnjaja për të na folur në lidhje me temën e ditës së sotme: “Si ka ndryshuar Tirana ndër vite?” Denisi shprehet se:

Qyteti është pak kaotik, rrugët janë ngushtuar, ka shumë trafik, secili familjar ka nga një makinë. Kultura jonë për transportin publik është përçmuese, nëse ti përdor transportin publik nuk ke statusin e duhur. Përsa kohë duket sikur është keq të udhëtosh me transportin publik, do vazhdojmë të jemi pjesë e viktimës së trafikut sepse vetë e krijojmë trafikun. Po të shkosh në qytetet e perëndimit do gjesh shumë njerëz që udhëtojnë ose në këmbë ose me biçikleta ose me motoçikleta të vogla. Tek ne, përjashtuar Shkodrën, gjithë qytetet e tjera kanë prirjen për të shkuar me luks, me taksi dhe me makina. Përsa kohë edukata jonë e mban larg të qenurit realist me kohën, momentin, me natyrshmërinë do kemi gjthmonë këtë lloj stresi jo vetëm me trafikun por i gjithë qyteti. Ka një valë depresive dhe po të vesh re rrugëve njerëzit nuk janë të buzëqeshur, jemi një qytet në depresion. Unë kështu e ndjej dhe nuk jemi një qytet i lumtur.

A është qyteti i Tiranës socialisht më i pabarabartë? Ja se çfarë thotë Denisi:

Me thënë të drejtën ka një problem. Të gjithë njerëzit që jetojnë në Shqipëri po t’i pyesësh a do të doje të kishe një shtëpi në Tiranë, do të thonin po. Një qeverisje e mirë bën qytete të mira dhe nuk do të vinin të gjithë në Tiranë. Në Itali nuk duan të gjithë të jetojnë në Romë. Struktura bazike e qyteteve nuk iu krijon njerëzve presion se nuk ka çfarë të bëjë tek fshati që jeton. Nëse ndërton prespektivën e vogël të fshatarit në fshat dhe në një qytezë të vogël ai do të dojë të vijë në Tiranë vetëm për vizitë. Kur është një komunitet i vogël që burrat e gratë rrinë në shtëpi, do shtohet dhuna në familje dhe probleme të tjera. Tirana nuk është në propocion me pagën dhe çmimet e shtrenjta që ka qyteti në përgjithësi dhe ka shumë njerëz të pamundur për të jetuar në mundësi normale dhe ka disa njerëz që jetojnë në luks. Kemi një grup njerëzish të shtresëzuar, ka një pabarazi sociale. Një infermiere, një mjeke ose mësues çfarëdo qoftë mendon që nuk ka më vend në këtë kryeqytet dhe mendon të largohet. Në efekt zinxhir prodhojmë emigracion. Ikin njerëzit sepse shikojnë një perspektivë të pamundur. Të gjitha këto kanë krijuar një sistem të rrëmujshëm në qytetin tonë.

Në mbyllje të intervistës, Denisi thotë se:

Përtej faktit që kemi gjithë këtë realitet, ne mund ta ndryshojmë dhe mund të behemi të përgjegjshëm për të kërkuar më shumë nga vetja dhe nga ata që na qeverisin. Duhet të shohim përtej portës sonë dhe me siguri gjërat do jenë më mirë për të gjithë bashkë. Indiferenca është vrasësi më i mirë i shpresës.