Lifestyle

Jo duke i blerë lodra…/Çfarë kanë nevojë fëmijët pas divorcit…

Divorci i prindërve është gjithmonë i vështirë për fëmijët. Të rriturit shpesh përpiqen t’ua lehtësojnë këtë situatë fëmijëve në mënyrën e gabuar duke blerë lodra dhe duke konkurruar se kush do t’i kënaqë më shumë. Ka gjëra të tjera që prindërit e divorcuar mund të bëjnë për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të pranojnë ndarjen e tyre.

Fëmijët kanë nevojë që prindërit të kuptojnë njëri-tjetrin. Pavarësisht se janë të divorcuar, është e rëndësishme që ata të qëndrojnë në një marrëdhënie të tillë që të jenë bashkë në të njëjtin vend pa problem, kur fëmijët kanë nevojë. Fëmijët kanë nevojë që të dy prindërit të jenë të pranishëm kur ata festojnë ditëlindjen, kanë një ngjarje në shkollë ose kur shkojnë te mjeku. Ata kanë nevojë për një nënë dhe baba që mund të bashkëpunojnë në rritjen e fëmijëve dhe jo ata që vazhdimisht do të konkurrojnë dhe debatojnë.

Cilado qoftë marrëdhënia mes tyre ata duhet të flasin mirë, të paktën para fëmijëve. Të vegjlit kanë nevojë për prindër të përgjegjshëm që të mund ta kontrollojnë veten të paktën aq sa të mos debatojnë dhe kritikojnë njëri-tjetrin në prani të fëmijëve. Asnjë fëmijë nuk dëshiron që nëna dhe babai i tyre të divorcohen, por edhe nëse kjo ndodh, ata përsëri kanë nevojë për të dy prindërit.

Kjo nuk do të thotë që prindërit duhet të qëndrojnë në një martesë të pakënaqur për hir të fëmijëve dhe më vonë të flasin se sa shumë sakrifikuan kur morën një vendim të tillë. Në vend të kësaj, është e rëndësishme që fëmijët të mbeten një prioritet për të dy pas divorcit.

Duhet të bëjnë përpjekje për të bashkëpunuar në rritjen e fëmijëve së bashku, në mënyrë që të vegjlit të kenë paqe dhe siguri pavarësisht rrethanave familjare. Fëmijët kanë nevojë për prindër që marrin përgjegjësinë për jetën e tyre. Me fjalë të tjera, është e rëndësishme që si nëna ashtu edhe babi të flasin me terapistët, në mënyrë që ata vetë të mund të shërojnë plagët nga divorci dhe më pas të jenë në gjendje të vazhdojnë përpara.