Bota

Jo vetëm Katalunja që riktheu shtetrrethimin, shumë vende po shtojnë kufizimet anti-COVID!

Ajo që pritej ndodhi, në Spanjë, Gjykata e Katalunjës zyrtarizoi shtetrrethimin e orëve të para të mëngjesit, nga frika e përhapjes së variantit Delta të koronavirusit. Nga sot e deri më 23 korrik, në orarin 01:00-06:00 nuk lejohen lëvizje çka shënjestron kryesisht të rinjtë. Mes qyteteve të prekura është edhe Barcelona e të tjera ku incidenca ka tejkaluar 400 raste me COVID-19 për 100 mijë banorë.

Po në Europë, nga Gjermania vijnë lajme jo të mira për ata që udhëtojnë nga dhe drejt Greqisë e Holandës që nga autoritetet shëndetësore klasifikohen si “zona me rrezik” për infeksionet me koronavirus. Sugjerohet “të shmangen të gjitha udhëtimet e panevojshme turistike” ndërsa gjermanëve që kthehen në shtëpi iu duhet të tregojnë një certifikatë vaksinimi ose test negativ për koronavirusin duke nisur nga nesër.

Masa shtrënguese edhe në Francë. Nga e hëna, kush hyn në territorin francez nga Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Portugalia, Qipro, Greqia e Holanda duhet të paraqesë test negativ koronavirusi jo më të vjetër se 24 orë. Në Francë, mbi 100 mijë vetë protestuan në Paris, Strasburg e qytete të tjera kundër asaj që cilësohet “diktaturë shëndetësore” e presidentit Macron. Protestuesit u shprehën kundër detyrimit që punonjës të shëndetësisë të jenë me patjetër të vaksinuar ndaj COVID-it e gjithashtu nuk mbështesin paraqitjen e green pass për të hyrë në restorante e vende të tjera.

Në një tjetër zhvillim, në Britani rezultoi pozitiv me koronavirus Sekretari i Shëndetësisë, Sajid Javid.  I vaksinuar me dy doza, ai tha se ka simptoma të lehta e është izoluar.  Dje u takua me kryeministrin Boris Johnson dhe ende nuk dihet nëse shefi i qeverisë duhet apo jo të izolohet.

Nuk duket më e qetë situata as për Lojërat Olimpike Tokio 2020. Një person u konfirmua i prekur me koronavirus në Fshatin Olimpik dhe u vendos në izolim. Ai nuk është atlet por ka ardhur nga jashtë Japonisë. Me të shkon në 15 totali i të prekurve nga koronavirusi që punojnë apo indirekt kanë lidhje me Lojërat e shtyra nga vjet për shkak të pandemisë e që nisin më 23 korrik.

Në kryeqytetin japonez, në 24 orë u raportuan 1.410 të infektuar, niveli më i lartë prej 21 janarit.

Edhe në Shtetet e Bashkuara ka një shqetësim në rritje për shtimin e të infektuarve dhe kjo ka bërë që presidenti amerikan Biden ta kapë me rrjetet sociale e në veçanti Facebook-un, duke i akuzuar se japin informata false që ndikojnë në shtimin e personave të cilët refuzojnë vaksinat.

Sot nis pelegrinazhi i përvitshëm në Mekë të Arabisë Saudite që për të dytin vit radhazi kufizon numrin e pjesëmarrësve për shkak të pandemisë koronavirus. Ata duhet të jenë banorë të Arabisë Saudite dhe nuk lejohen më shumë se 60 mijë të pranishëm.

Kjo po sjell zhgënjim për miliona besimtarë myslimanë të përjashtuar nga riti i Haxhit për shkak të kufizimeve anti-COVID. Para pandemisë, mbi 2 milionë mblidheshin çdo vit për pelegrinazhin në Mekë nga e gjithë bota.