Aktualitet

Jo vetëm pagat e targat, në ankand edhe numrat e telefonave të shqiptarëve!

Nuk mjaftoi publikimi i listave të pagave e targave personale të makinave, tashmë skandali thellohet me një tjetër rrjedhje të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, numrat e telefonave celularë. Ato dhe emrat e mbiemrat e personave që i diponojnë janë reklamuar në një faqe interneti, për t’u shitur.

Poseduesit e kësaj databaze të numrave personale kanë listuar edhe çmimet për ata që interesohen t’i blejnë, me qëllim përdorimi për fushata të ndryshme marketingu.

4.000 dollarë është çmimi për blerjen e 3 milion të dhënave për numrat shqiptarë të telefonisë mobile. 1.500 dollarë nëse do të blesh të dhënat e 1 milion numrave, 1.000 dollarë për 500.000 numra dhe vetëm 350 dollarë për 100.000 numra.

Në faqen ku mund të blesh listën me numrat e shqiptarëve, thuhet se lista e numrave celularë është e saktë e autentike, madje edhe informacione janë të përditësuara, me numrat personalë, emrat, qytetet, si dhe kodet e tyre postare.