Bota

Jo vetëm Shqipëria, as Italia nuk po njeh pranverë!

Ashtu si Shqipëria, edhe fqinji ynë Italia nuk po njeh pranverë në këto ditë të para të muajit prill. Moti i keq, me dëborë, acar e stuhi detare ka goditur të gjithë vendin, nga veriu në jug.

Sardenja u zgjua sot e mbuluar nga dëbora dhe nën temperatura polare. Majat e maleve në Nuoro dhe Ogliastra u zbardhën nga bora, me fenomene të tilla që shënohen edhe në jug të ishullit e gjithashtu në lartësitë kodrinore. Në Cagliari, termometri i është afruar zeros. Ndërkohë, borëpastrueset janë në veprim në rrugën 131 mes Nuoros e Sassarit. Dëborë e vështirësi edhe në aksin Nuoro-Lanusei ku automjetet e kompanisë që merret me mirëmbajtjen e rrugëve janë në punë.

Në komunën Macomer të Nuoros u dha urdhër për mbylljen e shkollave, për shkak të motit të keq. Punohet vazhdimisht për shpërndarjen e kripës në rrugë e autoritetet këshillojnë të tregohet kujdes ndërsa automjetet private të përdoren vetëm në raste urgjencash të jashtzakonshme.

Dëbora në Itali është shtrirë deri në Spezzino ku flokët e saj bien nga dita e djeshme. Borë ka gjithashtu në Berbenno, Valle Imagna, Foppolo, Valleve, Piazzatorre, Ornica, Selvino e Colere.

Aty ku dëbora nuk bie, nuk do të thotë se nuk ka probleme nga moti i keq. Era me shpejtësi nga 80 deri në 90 km në orë dhe me dallgët deri në 3 metra lartësi, bizneset në zonat bregdetare të Ostias, Fiumicinos, Focenes e Fregenes u përballën me supriza të padëshiruara që iu shtuan problemeve të vjetra me erozionin. Në disa raste, uji përshkon strukturat e objekteve.