Bota Sport

Jo vetëm Xhokoviç, një tjetër sportist rrezikon të mos shkelë në Australi/No vax, no play!

Qeveria australiane nuk tërhiqet e vazhdon me “grusht të hekurt”, në mbrojtje të kufijve kombëtarë kundër atyre që nuk janë vaksinuar ndaj koronavirusit. Australia e ka treguar se nuk pranon të bëjë përjashtime, edhe kur i duhet të penalizojë kampionë bote. Kësaj here, në World Surf League rrezikon pjesëmarrjen sërfisti amerikan Kelly Slater.

Ministri i Shëndetësisë, Greg Hunt paralajmëroi:

Nuk do të mund të hyjë në Australi, në rast se nuk vaksinohet kundër COVID-it!

Tashmë, pas rastit të tenistit serb Novak Xhokoviç, një tjetër sportist i njohur mund të përjashtohet nga garat në program të zhvillohen në tokën e kangurëve e kjo, vetëm për shkak të shkeljes së rregullave anti-koronavirus.

Slater është një yll i sërfit, 11 herë kampion bote. Por, ministri Hunt nuk ndërron mendje.

Nuk ka rëndësi se për cilin sport bëhet fjalë. Ne nuk tregohemi të pjesshëm! Shpresoj që Slater të vaksinohet e të marrë pjesë në gara!

Në muajt mars e prill të këtij viti, në Australi priten sërfistët më të mirë të botës, në World Surf League, në Victoria’s Bells Beach e Margaret River. Por, për të gjithë vlen i njëjti rregull: “No vax, no play”.

Deri tani, Kelly Slater nuk e ka zbuluar publikisht statusin e tij të imunizimit, pra nëse është apo jo i vaksinuar kundër koronavirusit, por në lidhje me vaksinën ka dhënë disa opinione që nuk kaluan pa shkaktuar polemika. Po ashtu, sërfisti amerikan u tregua shumë kritik në lidhje me çështjen e vizës australiane të 34-vjeçarit Xhokoviç, që përfundoi me vendimin për ta dëbuar nga Australia se nuk ishte i vaksinuar e në këtë mënyrë, numri një i tenisit botëror, nuk mori dot pjesë në turneun “Australian Open”.