Bota

Joe Biden sërish paralajmëron Vladimir Putinin lidhur me Ukrainën!

Joe Biden nuk beson se Vladimir Putin dëshiron luftë të plotë në Ukrainë dhe paralajmëron se “ai do të paguante çmim të lartë, nëse kryen një sulm ushtarak”. Në një konferencë shtypi në 1-vjetorin e marrjes së detyrës, Presidenti i Shteteve të Bashkuara u shpreh se “beson se Rusia po përgatitet të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës”, por nuk mendon se homologu rus ka marrë një vendim përfundimtar. Biden sugjeroi se do të kufizonte aksesin e Rusisë në sistemin bankar ndërkombëtar nëse Moska vijon me planet mbi pushtimin e mëtejshëm të Ukrainës.

Komentet e Presidentit Biden erdhën disa orë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë një vizite në Kiev, akuzoi Rusinë se po planifikon të përforcojë edhe më shumë kufirin, duke shtuar të tjera trupa ushtarake, krahas rreth 100 mijë forcave që ka vendosur deri tani. Blinken nuk përjashtoi mundësinë që shifra të dyfishohet me një vendim të shpejtë.

Sekretari Blinken nuk dha detaje mbi këto pohime, por dihet se Rusia ka dërguar një numër të paspecifikuar trupash në vendin aleat të saj Bjellorusinë, që gjithashtu ndodhet në kufi me Ukrainën, për stërvitje të mëdha ushtarake muajin e ardhshëm. Presidenti amerikan tha se beson se vendimi do të jetë “vetëm” i Putinit dhe sugjeroi se nuk është plotësisht i sigurtë se zyrtarët rusë me të cilët këshilltarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë kanë negociuar janë plotësisht të informuar për mendimin e Putinit.

Ka shumë pyetje mbi atë nëse njerëzit me të cilët po flet e dinë se çfarë do të bëjë ai.

Presidenti Biden la të kuptohet se një “inkursion i vogël” do të shkaktonte një përgjigje më të reduktuar sesa një pushtim në shkallë të plotë i Ukrainës, duke thënë:

Eshtë shumë e rëndësishme që ne t’i mbajmë të gjithë anëtarët e NATO-s në një linjë.

Më pas, në konferencën për shtyp, Presidenti Biden u përpoq të sqaronte se ai po i referohej një veprimi joushtarak, si një sulm kibernetik, që do të pritej me një përgjigje të ngjashme reciproke. Ndërkohë, Ukraina thotë se është e përgatitur për më të keqen dhe do t’i mbijetonte çdo vështirësie që do t’i dilte para.