Bota

Joe Biden shpall zyrtarisht emërimet për kabinetin e tij

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka paraqitur emërimet për anëtarët e parë të kabinetit të tij, që përfshijnë ish-zëvendës sekretarin e shtetit Antony Blinken në krye të Departamentit të Shtetit. Zyrtarët e përzgjedhur, shumica e të cilëve do të kërkojnë konfirmimin e Senatit, u paraqitën me Biden dhe me Zëvendës/presidenten e zgjedhur Kamala Harris në një aktivitet të organizuar për këtë qëllim në Uilmington të shtetit Delauer.

Ndër emërimet e tjera për kabinetin e presidentit të ardhshëm Joe Biden, janë Linda Thomas-Greenfield, ish-ndihmës sekretare shteti, si ambasadore amerikane në OKB dhe Jake Sullivan si Këshilltar i Sigurimit Kombëtar. Zonja Thomas-Greenfield, afrikano-amerikane, është eksperte e politikave ndaj Afrikës dhe ka qenë në post të lartë gjatë administratës Obama. Zoti Biden përzgjodhi gjithashtu zotin Alejandro Mayorkas për të kryesuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe ish-Senatorin John Kerry si i dërguar i posaçëm i Presidentit për klimën.

Avril Haines u emërua drejtore e inteligjencës kombëtare, gruaja e parë që do të shërbente në një rol të tillë. Ajo ka qenë nëndrejtore e CIA-s nga viti 2013 në 2015 dhe gjithashtu Zv/këshilltare e sigurimit kombëtar. Janet Yellen, ish-kryetare e Rezervës Federale pritet të emërohet si Sekretare e Thesarit. Megjithëse nuk janë të njohur gjerësisht nga publiku amerikan, ish-zyrtarët, Blinken dhe Sullivan e kanë ndihmuar Biden të hartojë strategjinë që do të përfshijë afrim të menjëhershëm me aleatët e Amerikës. Strategjia e administratës së ardhshme demonstron gatishmërinë për t’iu përgjigjur bashkarisht problemeve globale, si pandemia dhe krizave ekonomike.