Ta Thotë Jonka Tech

Jonka flet për çipat, zbuloni a po na i vendosin ato nën lëkurë pa e kuptuar!

“Ta Thotë Jonka”, emisioni i preferuar i atyre që dinë rreth teknologjisë, por edhe shkolla më e mirë për ata që nuk kanë informacione teknologjike, vjen edhe këtë të hënë. Në episodin më dinamik mund të themi, me temën më interesante, Jonka flet sot pikërisht për çipat e shumëpërfolur.

Jonka shpjegon se një çip apo një procesor, është njësia bazë apo truri i procesimit të të gjithë programeve kompjuterike. Ai e nisi gjithçka nga zanafilla, duke folur kështu mbi historikun e çipave. Çipi, siç tregon Jonka, e ka bazën që në fillim të Luftës së Parë Botërore.

Sigurisht, kjo temë është tepër interesante, pikërisht sepse është e ditëve të sotme. Ajo që përflitet më shumë është nëse dikush vërtet po tenton të vendosë çip në lëkurë, për të kontrolluar vendndodhjen e lëvizjet e ndryshme. Cila ishte përgjigja e Jonkës?!

Edhe po, edhe jo!

Ai shpjegon se ka disa mënyra si ato funksionojnë me anë të valëve. Por nuk justifikohet prodhimi në masë i tyre, ndaj askush nuk duhet të ketë frikë. Sot, askush nuk po tenton të vendosë çipa në mënyrë sekrete, por nesër? Nesër edhe mundet, asgjë nuk dihet me siguri.

Duke marrë iniciativë nga e nesërmja, Jonka flet për një vend që e ka ndërmarrë këtë hap dhe është pikërisht Suedia. Suedezët në mënyrë të vullnetshme, kanë vendosur midis gishtit të madh dhe atij tregues një kapsulë që bën disa veprime. Ai është një çip i thjeshtë, njësoj si ai që përdorim tek ashensori i pallatit. Futet nën lëkurë dhe duke vënë tek skanuesi i posaçëm, me të mundesh të hapësh e të ndezësh makinën, të logohesh në punë e të blesh gjëra. Në Suedi numërohen deri ne 10 mijë persona që e kanë pranuar diçka të tillë.