Aktualitet

Ju kujtohet shqiptari më i urryer në Amerikë? Martin Shkreli nuk ka më vend në industrinë farmaceutike!

Një gjykatë amerikane dënon shqiptarin Martin Shkreli me mospjesëmarrje përjetë në industrinë farmaceutike. Gjithashtu u urdhërua të paguante 64.6 milion dollarë pasi ngriti çmimin e ilaçit Daraprim e luftoi për të bllokuar konkurrentët.

Komisioni Federal i Tregtisë dhe 7 shtete amerikane e patën akuzuar për përdorimin e taktikave të paligjshme për të mbajtur rivalët jashtë tregut. Shkreli ishte shefi ekzekutiv i “Turing Pharmaceuticals”, kompanisë që në vitin 2015 rriti me mbi 5000% çmimin e Daraprim-it, ilaçit që përdoret për trajtimin e Sida-s, malaries dhe kancerit.

Skandali që pasoi arriti të bashkonte Donald Trump-in dhe rivalen demokrate Hillary Clinton në garën presidenciale, në kërkesën për dënim. Trump e quajti Shkrelin “djalosh të llastuar” dhe Clinton kritikoi ashpër rritjen e çmimit nga ana e tij.

Ndërkaq, në vendimin me 135 faqe të dhënë nga gjyqtarja Denise Cote, thuhet:

Ndalimi i një individi nga një industri e tërë dhe kufizimi në të ardhmen i kapacitetit të tij për të siguruar jetesën në atë fushë është domosdoshmëri e duhet bërë me kujdes. Sjellja e paligjshme, e qëllimshme, e përsëritur dhe përfundimisht e rrezikshme e Shkrelit kërkon nxjerrjen e një urdhëri për t’i dhënë fund.

Në vitin 2018, në një tjetër rast pa lidhje me të parin, Martin Shkreli u dënua me shtatë vjet burg për mashtrim me letrat me vlerë.

Edhe në burg, ai vazhdoi të rriste çmimin e Daraprim-it, sipas raportimeve të Wall Street Journal, bazuar në procesverbalet e gjykatës.

Kryeprokurorja e Nju Jorkut, Letitia James, ngriti çështjen kundër Shkrelit në janar të 2020-ës, duke e akuzuar për përdorimin e kontrollit monopol për të mbajtur të lartë çmimin e medikamentit.

Të fuqishmit nuk do të arrijnë të imponojnë rregullat e tyre, pavarësisht se Shkreli mendon se paraja sundon gjithçka rreth tij.