Bota

Ju prezantojmë 10 vendet ku COVID nuk ka mbërritur ende!

Në nivel global, janë rreth 274 milion infektimet nga koronavirusi, që nga fillimi i pandemisë e mbi 5 milion njerëz kanë humbur jetën, më shumë se 45 mijë prej tyre në javën e fundit. Të dhënat tronditëse i jep Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH. E ndërkaq, po OBSH-ja zbulon edhe ekzistencën e vendeve ku koronavirusi nuk ka “shkelur”, të paktën deri tani. Besojeni apo jo, por 10 vende apo territore vazhdojnë të gëzojnë statusin “COVID-free”.

Pyetja që lind natyrshëm është: si kanë mundur t’i shpëtojnë valëve të infektimeve?

Dhe ka një përgjigje të thjeshtë: favorizohen nga vendndodhja gjeografike e nga dendësia e ulët e popullsisë.

COVID nuk ka mbërritur ende në Kiribati, Mikronezi, Nauru e Niue, që të katërt shtete të izoluar në Paqësor. Lista vijon me ishujt Pitcairn e Saint Helena, territore britanike, po ashtu me territorin neozelandez Tokelau, arkipelagun Tuvalu e Turkmenistanin.

Listën e mbyll Koreja e Veriut, por për vendin komunist ka shumë dyshime pasi të dhënat i jep vetë Pheniani zyrtar e siç dihet, shteti që udhëhiqet nga Kim Jong-Un nuk shkëlqen kur vjen puna te transparenca. Të shumtë janë ata që e mendojnë të pamundur një gjë të tillë, nisur nga afërsia me Kinën, vendin ku në dhjetor 2019 u konfirmua për herë të parë koronavirusi.

Sa i përket pjesës tjetër të botës, të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rikonfirmojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, si vendin më të goditur në botë, me mbi 50 milion raste infektimesh e më shumë se 800 mijë viktima. Më pas renditen India e Brazili për të prekurit, respektivisht me më shumë se 34 milione e 22 milion.