Celebrities Music Showbiz

Ju prezantojmë me dy nga hitet e kësaj vere me të cilat kushdo mund të gjejë veten!

Pak ditë më parë, artistët e mirënjohur Bruno, Flori Mumajesi dhe Klajdi Haruni, lançuan këngën e tyre më të re “Nina”. Klipi u publikua më 19 Qershor dhe duket se u prit mirë nga publiku, si një këngë verore, nisur dhe nga numri i klikimeve të deritanishme. Nga ana tjetër, një dyshe artistësh po kaq të suksesshëm, Alban Skënderaj dhe Elgit Doda, në të njëjtën ditë publikuan projektin e tyre të ri muzikor, “Parajsa Ime 2 (Billionaire)”.

Le të ndalemi pak tek këto dy këngë që duket se do të na ndjekin gjatë muajve të verës.

Si fillim, videoklipi “Nina” i treshes gati-gati të pandashme, Bruno-Flori-Klajdi, xhirohet në bregdetin e mrekullueshëm të jugut të Shqipërisë. Këngëtarët rrethohen nga balerina, të veshura me rroba banjo ngjyrë të bardhë dhe kombinohen së bashku duke kërcyer. Që në fillim, artistët i drejtohen një vajze me emrin Nina:

Me ty Nina, jeta jonë si në filma…

Ajo që vihet re më së shumti në këtë videoklip është kërcimi që duket se është bërë viral dhe në rrjetin “TikTok”. Në disa sekuenca vihen re dhe jahtet lukzoze që lundrojnë me shpejtësi në detin e kaltër të Jonit.

Nëse kalojmë pak nga “Parajsa Ime 2”, do të vëmë re që të dy videoklipet kanë ngjashmëri me njëri-tjetrin. Edhe kjo këngë xhirohet po ashtu në bregdet. Gjithashtu kanë dhe një të përbashkët, kërcimin viral. Në ndryshim nga “Nina”, në këtë videoklip kemi një grup fëmijësh që kërcejnë dhe jo balerina. “Parajsa Ime” i bën thirrje dashurisë pa pasur pasurinë:

Pa Rolex, pa Porsche…Pa Moet, pa Prive…
Ty nuk te godet aparenca, se lumturine e gjen tek esenca…

Nëse tek “Nina” kishim në sfond luksin, makinat e shtrenjta, jahtet, plazhet e shtrenjta, sepse siç e thotë edhe teksti i këngës “jeta jonë si në filma”, tek “Parajsa Ime”, dy këngëtarët i kushtojnë më shumë rëndësi jetës së thjeshtë pa luks, pa ora të shtrenjta, makina të modeleve të fundit, apo gjërave materialiste, sepse “nuk kemi pasuri por kemi klas”.

Si përfundim, tek të dyja këto këngë cilido mund të gjejë veten këtë verë, ata që duan jetën e luksit, apo edhe ata që mjaftohen me gjërat e thjeshta të jetës. Një gjë është e sigurtë, të dyja projektet do të na ndjekin gjatë pushimeve të verës teksa relaksohemi në rrezet e diellit, gjykuar kjo nga numri thuajse i njëjtë i klikimeve në “YouTube”, mbi 1 milion.

Nëse edhe juve ju pëlqejnë këto dy këngë, mund t’i votoni ato në listën e 100 këngëve më të mira shqiptare në “Top Awards” dhe “The Top List“.