Lifestyle Travel

Ju prezantojmë me vendlindjen e disa prej qytetërimeve më të hershme të botës!

Një udhëtim mbresëlënës nga Basra në Bagdat, në zemër të Irakut, aty ku njerëzit mësuan për herë të parë shkrimin dhe matematikën. Gjithashtu, është edhe vendlindja e disa prej qytetërimeve më të hershme të botës, si dhe shtëpia e shumë prej inovacioneve më të mëdha të njerëzimit. Udhëtimi kalon mes përmes autostradës së parë dhe më të gjatë të Irakut, e njohur si “Rruga 1”, e cila është ngritur mbi gjurmët e Mesopotamisë së lashtë. Ndonëse rajoni ka përjetuar për dekada të tëra konflikte të dhunshme, trashëgon dritëhijet e një sërë perandorish historike si babilonasit, asirianët dhe sumerët.

Turi nis në Basra, porti më i madh i Irakut. Qyteti përshkohet nga lumi Shatt al-Arab, i cili formohet nga bashkimi i Tigrit dhe Eufratit, dy rrugët ujore që frymëzuan emrin Mesopotamia. Pas 150 km në shkretëtirë, peisazhi shndërrohet papritur në një parajsë të gjelbër, me ligatina dhe këneta, disa të konsideruara edhe si pjesë e “Kopshtit Biblik të Edenit”. Në këto zona, sot jetojnë pak njerëz, pasi shumica janë larguar drejt qyteteve, por ato që kanë mbetur ndihen shumë të kënaqur me stilin e tyre të jetës.

Sumerët ishin qytetërimi më i hershëm i njohur i Mesopotamisë, të cilëve u atribuohen shpikje të tilla si rrota, vela, parmendi, matematika, inxhinieria hidraulike dhe shkrimi. Tokat e pasura të zonës jo vetëm që u siguronin njerëzve ushqim të bollshëm, po i jepte favore dhe lehtësira për të krijuar. Gjithashtu, vendndodhja e rajonit midis Afrikës, Azisë dhe Evropës u mundësoi atyre të dominonin tregtinë botërore.

Mos harroni vizitën në një nga vendet më të shenjta në Islamin Shia, Qerbelaja që është shtëpia e faltores së Imam Huseinit (nipi i Profetit Muhamed) dhe ajo e gjysmëvëllait të tij, Abbas. Mendohet se këtu vijnë deri në 40 milionë pelegrinë në vit. Pranë gjendet edhe “Varreza e Luginës së Paqes” në Najaf, e themeluar më shumë se 1400 vjet më parë, ku prehen gjashtë milionë myslimanë shiitë.

Pas 160 km nga Qerbelaja vizitorët kanë mundësi të ndalen në Bagdad dhe të vëzhgojnë punimet e bakrit në dyqanet e shumta artizanale, të cilët duket sikur trashëgojnë mjeshtëritë e epokave të kaluara. Perandoritë e fuqishme të Mesopotamisë që dikur shtriheshin në “Rrugën 1”, janë shndërruar në pluhur, por kontributet e tyre historike për njerëzimin, ende jehojnë në mbarë botën.