Themeluesi i WikiLeaks-it, Julian Assange, nesër pritet të pranojë fajësinë lidhur me shkeljen e ligjit amerikan për spiunazh. Kjo në një marrëveshje me Departamentin amerikan të Drejtësisë, e cila do ta lirojë nga burgu dhe do ta lejojë të kthehet në vendin e tij Australi, duke i dhënë fund një sage ligjore 14-vjeçare.
52 vjeçari ra dakord të pranojë fajësinë për një akuzë penale, konspiracion për të siguruar dhe publikuar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare amerikane.
Pritet që nesër të dënohet me 62 muaj burg, një dënim që tashmë e ka vuajtur. Prokurorët thanë se seanca do të mbahet në ishullin amerikan Saipan në Oqeanin Paqësor pasi Assange nuk pranoi të udhëtonte në SHBA e ky ishull ndodhet pranë Australisë.
Assange u largua nga burgu Belmarsh në Britaninë e Madhe dje në mbrëmje, siç njoftoi WikiLeaks në një postim në rrjetin social X.
Ky është rezultat i një fushate globale që përfshiu aktivistë për të drejtat e shtypit, ligjvënës e liderë nga i gjithë spektri politik e deri të Kombet e Bashkuara.
Julian është i lirë!!! shkroi gruaja e tij, Stella Assange, në X. Fjalët nuk mund ta shprehin mirënjohjen e jashtëzakonshme ndaj juve, po juve, që u mobilizuat për vite e vite, për ta bërë të mundur këtë.
Kryeministri Albanese ka qenë i qartë: Rasti i Assange-it është zvarritur tepër gjatë dhe nuk fitohet asgjë duke e mbajtur në burg, u shpreh një zëdhënës i qeverisë australiane.
Avokati i Assange-it nuk iu përgjigj kërkesës së Reutersit për koment.
Akuzat historike
Më 2010-ën, WikiLeaks publikoi qindra mijëra dokumente të klasifikuara të ushtrisë amerikane në lidhje me luftërat e Uashingtonit në Afganistan e Irak, si dhe kabllograme diplomatike. Kundër Assange-it u ngrit aktakuzë gjatë administratës Trump. Kjo për shkak të publikimit masiv të dokumenteve të fshehta amerikane, të cilat u nxorën nga Chelsea Manning, një ish-analiste e Inteligjencës së ushtrisë, e cila u ndoq dhe penalisht për shkeljen e Aktit të Spiunazhit.
Në mesin e mbi 700 mijë dokumenteve të publikuara ishin dhe kabllograme diplomatike e një video e vitit 2007, që shfaqte një helikopter amerikan duke qëlluar mbi kryengritës të dyshuar në Irak dhe vrarë dhjetëra njerëz, përfshirë dy pjesëtarë të stafit të agjencisë së lajmeve, Reuters. Video u publikua më 2010-ën.