Politikë

Julian Deda kundër Bashës: E kanë këshilluar të vendosë derë të blinduar në zyrën e tij

Anëtari i Partisë Demokratike, Julian Deda thotë se ka “zbuluar” se kryedemokratin Lulzim Basha e kanë këshilluar që të vendosë një derë të blinduar në zyrën e tij.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Deda shkruan se “sikur me gurë e beton ta bëjë derën e zyrës, demokratët e kanë ndarë mendjen”.

“Flitet se këshilltarët e tij mizerabel, të cilët janë ca tipa që kanë alergji ujin dhe sapunin, e kanë këshilluar Lul vulen t’i vërë zyrës një derë të blinduar. Pa merak Lul, nuk e kemi ndermend t’i ndyejmë duart as me ty dhe as me ndonjë servil të palarë që ke aty afër zyrës.

Ti bashkë me qylsat do ikësh sepse nuk të duan demokratët, janë shumica e tyre që do vendosin me votë dhe kësaj nuk kemi ç’ti bëjmë. Sikur me gurë e beton ta bësh derën e zyrës, demokratët e kanë ndarë mendjen, nuk të duan, kaq…”, shkruan Julian Deda.

Ndërkaq, kreu demokrat duket se ka vendosur të “injorojë” zërat e tij kundër.

Më herët Lulzim Basha deklaroi se përveç vettingut në politikë, opozita kërkon ashpërsim të dënimit për krimet zgjedhore, bazuar në ligjin italian. Qëndrimin e shprehu sot Lulzim Basha. Sipas kreut demokrat, “politikanët që zgjidhen me votat e kriminelëve dënohen me 22 vjet dhe u ndalohet përjetësisht ushtrimi i funksioneve publike”.