Aktualitet Politikë

Ka apo jo firma të depozituara nga Berisha në PD? Palët e palëkundur në pretendime!

Flamur Noka, Gent Strazimiri dhe Arben Ristani, mbështetës të ish-kryeministrit Berisha deklaruan se kanë dorëzuar edhe 150 firma delegatësh, duke e çuar numrin në 4 mijë e 350. Sipas tyre, nënshkrimet e mbledhura nga “Foltorja” e Berishës do të verifikohen më 11 dhjetor përmes një komisioni të ngritur nga vetë Kuvendi Kombëtar i PD-së. Ish-deputeti Gent Strazimiri tha se firmat janë dërguar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka dhe kushdo që ka kuriozitet, të shkojë t’i shohë, por sipas tij, “verifikimin mund ta bëjë vetëm Kuvendi”. Ndërkaq, një deklaratë të fortë bëri Flamur Noka, duke e cilësuar Bashën, “ministër të Ramës që paguhet për të shuar opozitën”.

I menjëhershëm reagimi i Selisë Blu. Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi deklaroi se asnjë firmë nuk është depozituar për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Sipas tij, “PD është institucion legal” dhe “çdo kërkesë, aq më tepër e shumicës së demokratëve duhet depozituar në Zyrën e Protokollit”. Mbi 4 mijë firmat nga ish-kryeministri, edhe sot i cilësoi “tallje e blof ndaj demokratëve”, duke pretenduar se nuk janë mbledhur.

Dua të konfirmoj për çdo demokrat se në PD nuk ka ardhur deri në këtë moment asnjë kërkesë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Ajo që shqiptarët, por veçanërisht mbështetësit e PD-së kanë parë gjatë këtyre muajve ka qenë një blof i madh, një tallje me sakrificat dhe mundin e demokratëve për hallet dhe problemet personale. Sepse nuk u arrit që pas dy muajsh kontakti me demokratët të siguroheshin firmat e ¼ të anëtarëve të partisë për nisjen e Kuvendit Kombëtar. Prej dy muajsh thuhet se duhet të mbledhur Kuvendi i PD-së, se ka një çështje të tij zoti Berisha, që duhet ta shtrojë për diskutim. Por, në momentin që skadon afati, bëhet një shoë për demokratët, duke thënë se kemi firmat, por edhe shumicën, por s’i tregojnë. Nëse i kanë firmat t’i depozitojnë në Protokollin e PD-së, çdo institucion i partisë ka përgjegjësinë për të respektuar vullnetin e demokratëve.

Nuk jemi institucion në ilegalitet. I vetmi hall i demokratëve është largimi një orë e më parë i regjimit të Edi Ramës. Prandaj, rikonfimoj për çdo anëtar të Kuvendit të PD-së, që jo vetëm nuk janë depozituar ¼ e firmave që na japin mundësinë për të ndjekur procedurën e Kuvendit Kombëtar, por deri tani që flasim nuk ka asnjë firmë të depozituar. Nuk e di ku qëndron problemi i mos depozitimit të firmave, ose më saktë, bëj sikur s’kuptoj.

Me kë tallen këta? Me kë tallen? Apo do të verifikojnë firmat e njëri-tjetrit? Kjo parti është institucion dhe duhet të respektohet. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ish-drejtues të lartë të kësaj partie. Por blofin me demokratët, këta të fundit nuk ia kanë borxh askujt!