Aktualitet

Kadilli: “Ta bashkojmë Partinë Demokratike!”

Kandidati për kryetar i PD-së, Fatbardh Kadilli deklaroi sot se duhet t’i jepet fund modelit të Partisë së Punës dhe ta hapin e bashkojmë PD-në.

Dua të kërkoj ndjesë që koha e shkurtër në dispozicion nuk më lejoi të takoj çdo anëtar të PD-së dhe të shkoj në çdo degë, por turi im nuk ndalet më 13 qershor, por me fitoren aty do të vijoj turin për largimin e  Edi Ramës. Kam kërkuar një PD të pastër, të hapur dhe fituese, një parti më të madhe se kryetari, ndarjen e rolit të kryetarit nga administratori i partisë. Strukturat e partisë do të jenë në bazë elektorale. Në çdo ZAZ do të ketë një person të zgjedhur me “Një anëtar një votë”. Do të legjitimohen fraksionet!  Çdo anëtar mund të krijojë “partinë” e tij. Këshilli i të Urtëve vetëm do të miratojë. Do të bëjmë një Forum Rinor që i afron të rinjtë.  Në kohën e Iphone-ve do të kemi një IForum. Forumi i Grave do të riorganizohet. Do të kemi një raport tërësisht tjetër me median. PD do të shndërrohet në lëvizje mbarëpopullore dhe do të frymëzojë të gjithë shoqërinë. Unë do të zgjoj individin politik. Qëllimi ynë është që të kemi një PD që ndahet nga çdo trashëgimi e keqe, edhe e vetvetes!

Kadilli deklaroi se “Struktura e partisë ndërtohet mbi bazën e garës elektorale”.

Një PD që riorganizohet duke garantuar hapësirë për çdo individ politik të shprehë talentin, ambicien, forcën, përfaqësimin dhe idetë politike, që garantojnë zhvillimin e kauzave politike nga çdokush, zhvillimin e karrierës në mënyrë të papenguar nga burokracia politike. Një PD që manifeston në çdo gjë vlerat që promovon. Një PD që sillet dhe vepron në përputhje absolute me çfarë shpall. Një PD që ka të njëjtin standard si për vete ashtu dhe për kundërshtarët. Detyra e PD është largimi nga pushteti i Ramës dhe i modelit të qeverisjes dhe politikës ku politika, media, biznesi dhe bota e nëndheshme janë shndërruar në një pushtet abuzues mbi qytetarin.