Bota

“Kam dhimbje të forta të shpinës”, përkeqësohet gjendja shëndetësore e Navalny-t!

Opozitari rus Aleksei Navalny konfirmoi se po përballet me dhimbje të forta të shpinës dhe se “asgjë” nuk është bërë në këtë drejtim nga autoritetet e burgut. Kritiku i Kremlinit tha se sipas mjekëve gjendja është serioze dhe nëse nuk kurohet mund t’i kushtojë jetën.

44-vjeçari Navalny ndodhet në një nga burgjet më të ashpër rus rreth 60 kilometra larg Moskës. Në të njëjtin vend vuajti për një dekadë dënimin edhe ish drejtuesi i kompanisë gjigante të naftës Yukos, Mikhail Khodorkovsky.

Gjendja shëndetësore e kritikut të Kremlinit është kthyer në çështje për diskutim më 24 mars, pasi aleatët e tij kanë thënë se kanë qenë të shqetësuar për përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore, dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve të burgut të qartësojnë gjendjen e tij.

Më 25 mars, gruaja e Navalny i ka kërkuar Kremlinit që ta lirojnë burrin e saj, në mënyrë që ai të trajtohet nga mjekë “që ai u beson”, derisa burgimin e tij e ka konsideruar “hakmarrje personale” të presidentit rus, Vladimir Putin. Rikujtojmë, se rreth 1 mijë e 400 persona u arrestuan në protestat e bujshme në Rusi për dënimin me tre vjet e gjysmë burg të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny.