Aktualitet

Kampi Manston, kushte ç’njerëzore”! Iku me gomone, Donaldi rrëfen kushtet skandaloze në qendrën e emigrantëve në Angli

Javët e fundit qendra e pritjes të emigrantëve në Manston në Kent në Jug të Anglisë, ku mbahen emigrantët që mbërrin me gomone, është kryefjalë e medias britanike.

E planifikuar të strehojë 1600 persona, u dërguan 3000 emigrantë mes tyre mbi 300 shqiptarë. Donaldi, njëri prej tyre në një intervistë me gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, tregon ditët e tmerrshme që ai dhe të tjerë shqiptarë kaluan atje.

Muhamed Veliu: Donald, përse u larguat nga Shqipëria për të mbërritur me gomone në Angli?

Donaldi: Unë në Shqipëri kisha një biznes. Pata shumë telashe dhe konflikte. Erdha në Angli, mora një risk shumë të madh përsipër të vija këtu e të gjeja një vend të sigurt më të mirë por këtu nuk ishte siç e mendoja. Mendoja se do të na mirëprisnin me na mbajt mirë por ishte komplet e kundërta e imagjinatës. Ne gomone ishim rreth 70 veta bashkë. Kishte aty gra, njëra shtatzënë madje ajo ishte me një fëmijë tjetër në dorë që e mbante në gomone vetëm e vetëm për të mbërrit në brigjet angleze.

Muhamed Veliu: Çfarë mund të na thoni për qëndrimin tuaj 9 ditor në kampin Manston?

Donaldi: Kampi Manston kamp e ka emrin. Nëntë ditë nuk kemi dit gjë. Kur mbërritëm ishim të lagur. Aty ishin të gjitha të këqijat e mundshme. Na thoshin pse keni ardhur këtu, ju s’jeni për të qëndruar këtu, Anglia është e anglezëve jo e emigrantëve. Ishin kushte çnjerëzore. Në mëngjes na jepnin një sanduiç me peshë sa një çakmak që është në Shqipëri. Ne drekë disa patatina e një molto. E në darkë po ashtu.

Muhamed Veliu: Sa shqiptarë ishin në kampin Manston gjatë atyre 9 ditëve që ju qëndruat atje?

Donaldi: Ka patur goxha shqiptarë. Rreth 300 shqiptarë. Kishte shqiptarë që ishin aty prej 28 ditësh brenda në kamp pa folur me të shtëpisë, pa dush e pa bërë asgjë. Aty janë disa çadra që ne në Shqipëri i përdorim në morte me 300-400 veta në një çadër. Paramendoji vetë të gjithë aty futur brenda.

Muhamed Veliu: Si ju trajtonin rojet private në kampin Manston?

Donaldi: Disa prej tyre ishin shumë racistë. Ditët e fundit kur çështja e Manston doli në Media u bënë shumë të dashur pa pritur e pa kujtuar.

Muhamed Veliu: Pasi dolët nga kampi Manston ju dërguan në një hotel. Përse u larguat nga ky hotel?

Donaldi: E gjitha ishte një makth…makth. Na çuan aty në hotel por unë personalisht këtu kam familjarët e mi. E kam një zanat shumë të mirë. Nuk kërkoj azil të më mbajë shteti. Kam ardhur për një siguri. Këtu nuk është asnjëra prej tyre. Nuk na duan hiç. Nuk qëndrova në hotel pasi bëhej fjalë të na kthenin të gjithëve. Jo vetëm mua por të gjithë që ishim atje.

Muhamed Veliu: A do ta ndërmerrnit përsëri një udhëtim të tillë siç edhe e bëtë me gomone?

Donald: Ju them shumë atyre që duan të shkojnë në këtë mënyrë në Angli se është një çmenduri e paparë. Mos e ndërmerrni askush prej jush.