Tarifat e Bashkimit Evropian ngadalësuan fluksin e automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë në korrik. Lajmi vjen pasi blloku lëvizi për të mbrojtur prodhuesit e tij të automjeteve nga konkurrenca. Numri i automjeteve të reja elektrike që prodhuesit kinezë të automjeteve si BYD Co. dhe MG e SAIC Motor Corp. regjistruan në BE muajin e kaluar ra 45% nga qershori, sipas hulumtimit nga Dataforce.
Ai përpiloi rezultatet në 16 vendet anëtare që kanë raportuar shifrat e deritanishme. Tarifat e përkohshme, të cilat i rrisin detyrimet e importit deri në 48%, kanë për qëllim të mbrojnë një industri të rëndësishme të BE-së nga rivalët kinezë që gëzojnë avantazhe strukturore në fusha kyçe si teknologjia e baterive që kanë përfituar nga subvencionet shtetërore. Tensionet politike mbeten të larta, me Pekinin që kërcënon të hakmerret mes bisedimeve për zgjidhjen e çështjes. Marka më e shitur e makinave në Kinë po ecën përpara me zgjerimin e saj në Evropë.
Sponsorizimi i BYD për turneun e futbollit Euro 2024 në Gjermani e ekspozoi kompaninë para 5 miliardë shikuesve televizivë. Ndërkaq, Kanadaja njoftoi se do të vendosë një tarifë 100% për importet e automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë (EV) pas njoftimeve të ngjashme nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Vendi gjithashtu planifikon të vendosë një taksë prej 25% për çelikun dhe aluminin kinez. “Ne po e transformojmë sektorin e automobilave të Kanadasë për të qenë një lider global në ndërtimin e automjeteve të së nesërmes, por aktorë si Kina kanë zgjedhur t’i japin vetes një avantazh të padrejtë në tregun global”-tha kryeministri kanadez Justin Trudeau.
Vendimi për automjetet elektrike kineze do të hyjnë në fuqi më 1 tetor, ndërsa ato për çelikun dhe aluminin do të zbatohen nga 15 tetori. Kanadaja dhe aleatët e saj perëndimorë akuzojnë Kinën për subvencionimin e industrisë së saj të automjeteve elektrike, duke u dhënë prodhuesve të saj një avantazh të padrejtë. Kina e ka quajtur veprimin “proteksionizëm tregtar”, i cili “shkel rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë”.