Bota

Kancelari Scholz: “Putin nuk do ta fitojë luftën në Ukrainë!”

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, deklaroi se “tre muaj kanë treguar se presidenti rus, Vladimir Putin nuk do ta fitojë luftën në Ukrainë dhe nuk mund të diktojë kushte për ndonjë marrëveshje rreth luftimeve”. Duke folur në ditën e fundit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Scholz theksoi se “pushtimi i gjithë Ukrainës duket më larg tani se në fillim të luftës”.

Pas përpjekjeve të dështuara për të marrë kontrollin e dy qyteteve të mëdha të Ukrainës, Kievin dhe Kharkivin, Moska e ka kthyer fokusin në rajonet lindore, ku prej vitit 2014 mbështetet luftimet e separatistëve në ato zona.

Disa ditë më parë, ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger, sugjeroi se “rikthimi në një “status quo”, para pushtimit rus të 24 shkurtit do të ishte ideal”.

Por, Scholz u shpreh se “një skenar i tillë nuk është opsion pasi nënkupton se Krimeja, e aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Rusia më 2014-ën, si dhe rajonet lindore të kontrolluara nga separatistët, të konsideroheshin të humbura nga Ukraina”.

Nuk do të ketë paqe të diktuar. Ukraina nuk do ta pranojë këtë dhe as ne!

Presidenti ukrainas, Volodymr Zelensky kritikoi ashpër ish-sekretarin amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, i cili sugjeroi që negociatat e paqes të synojnë krijimin e kufijve përgjatë “vijës së kontaktit” në Donbas, siç ishte në prag të pushtimit rus. “Pavarësisht se çfarë bën shteti rus është dikush që thotë: “le të marrim parasysh interesat e tij”. Për shembull, në Davos, zoti Kissinger doli nga e kaluara e thellë dhe tha se “një pjesë e Ukrainës duhet t’i jepet Rusisë”, – u shpreh presidenti ukrainas.

Në datën 24 shkurt, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin urdhëroi nisjen e atij që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi u përgjigj me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë.