Aktualitet

Kancelarja Merkel në Tiranë, takim me kryeministrin Rama në Pallatin e Brigadave!

Me një takim kokë më kokë të këtyre çasteve me kryeministrin Edi Rama, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel nisi pjesën zyrtare të vizitës në Tiranë pas qëndrimit të djeshëm në Beograd. Pak para se ora të shënonte 10:00, avioni i Merkelit u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit ku u prit edhe nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.

Kryediplomatja Xhaçka shkruan:

Nder dhe kënaqësi t’i uroja mirëseardhjen Kancelares Gjermane, Angela Merkel, e cila mbërriti në Tiranë për takime të rëndësishme me Kryeministrin Edi Rama dhe liderët e rajonit. Mirënjohje për mbështetjen e saj për integrimin  të Ballkanit Perëndimor si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë.

Në 10:31, delegacioni gjerman me në krye kancelaren iu drejtua Pallatit të Brigadave ku pas përshëndetjes si në kohë pandemie, pra jo me shtrëngim duarsh, iu rezervua ceremonia e pritjes.

Më pas u ekzekutun himnet e Gjermanisë e të Shqipërisë. Himnet Takimi Rama-Merkel do të pasohet nga mbledhja e mesditës e kancelares me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tirana Business Park. Në plan të parë, çështjet e bashkëpunimit rajonal.

Rikujtojmë se Policia e Shtetit ka njoftuar masa që prekin trafikun në kuadër të vizitës së Merkelit në Tiranë. Deri në orën 13:00 ka bllokime e devijime të lëvizjes së automjeteve në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave. Këshillohet shmangia e këtyre akseve edhe për dy orë të tjera.

Për Merkelin kjo është vizita e dytë në Tiranë si kancelare e Gjermanisë dhe duket se e fundit pasi ka vendosur të tërhiqet pas zgjedhjeve politike të 26 shtatorit. Një ditë më parë, kancelarja ishte në Beograd ku i kërkoi Bashkimit Europian më shumë kompromis për shtetet e Ballkanit Perëndimor që duan të integrohen. Pas takimit me presidentin serb Aleksander Vuçiç, zgjidhjen e konfliktit me Kosovën, e quajti kusht për anëtarësimin europian.