Rajoni

Kancelarja Merkel viziton Serbinë para mbledhjes në Shqipëri me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor!

Kancelarja gjermane, Angela Merkel viziton sot Beogradin, për të diskutuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç rreth bashkëpunimeve ekonomike e politike, si dhe procesin e integrimit europian.

Nesër, Merkel vjen në Tiranë, për një takim me kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Kosovës, Bosnjes, Malit të Zi, Serbisë e Maqedonisë së Veriut.

Berlini zyrtar bëri të ditur se bisedimet do të fokusohen në bashkëpunim rajonal. Pas 16 viteve në krye të politikave europiane si kancelare e Gjermanisë, Merkel do të tërhiqet nga skena politike, në fund të mandatit të katërt, pas zgjedhjeve të 26 shtatorit.

Në një takim me Vuçiçin javën e kaluar, ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb, u shpreh se vizita e Merkelit në Ballkan dërgon sinjalin e qartë se “rajoni ka përparësi në axhendën e Berlinit”.

Për këtë vizitë, Vuçiç u shpreh:

Nder i madh për Serbinë dhe mundësi për ta falenderuar për gjithçka ka bërë për vendin tone e rajonin, gjatë një mandati të gjatë dhe të suksesshëm në detyrë.

Krijimi i të ashtuquajturit “Proces i Berlinit” nga vetë kancelarja në 2014-ën, për të promovuar bashkëpunimin më të mirë në Ballkanin Perëndimor, si dhe integrimin europian, “ka krijuar atmosferë tjetër e mundësi të reja për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor, duke e bërë rajonin më paqësor e më të qëndrueshëm.