Bota

Kandidatët republikanë për president mblidhen në Ajova, mungon ish-Presidenti Trump!

Qindra njerëz u mblodhën në Ajova për të dëgjuar kandidatët kryesorë që synojnë të fitojnë garën brenda partisë Republikane për të qenë kandidatura zyrtare për president.

Kandidatët republikanë synojnë të zgjerojnë bazën e mbështetësve të tyre duke fituar votat e banorëve në këtë shtet, ku zakonisht zhvillohen beteja të forta elektorale. Sidoqoftë, në këtë aktivitet u ndje mungesa e kandidatit kryesor republikan, ish-Presidentit Donald Trump.

Pothuajse të gjithë kandidatët republikanë që shpresojnë të kandidojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 u gjendën të shtunën në Ajova për të marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Senatorja Joni Ernst.

“Rruga drejt zgjedhjeve të vitit 2024 kalon nëpërmjet Ajovas”, tha senatorja republikane.

I pari nga kandidatët foli kolegu senator nga Karolina e Jugut, Tim, Scott.

“Ka ardhur koha që të kemi një president që jo vetëm beson tek Amerika, por që edhe ka përjetuar ëndrrën amerikane”, tha Senatori Scott.

Presidentin Biden e kritikoi edhe ish-Guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson.

“Po kandidoj për president për shkak se politikat e Joe Biden-it janë drejtimi i gabuar për Amerikën”, tha zoti Hutchinson.

Guvernatori, Ron DeSantis, vuri në dukje arritjet e tij në Florida.

 “Në Florida ne zgjodhëm faktet mbi frikën, zgjodhëm arsimin mbi indoktrinimin, zgjodhëm ligjin dhe rendin mbi trazirat”, tha ai.

Edhe ish-Guvernatorja Nikki Haley gjithashtu ngriti çështjet sociale gjatë fjalimit të saj.

“Ideja se kemi djem që luajnë në ekipet sportive të vajzave është problemi më i madh për të drejtat e grave në kohërat tona”, tha zonja Haley.

Ish-Presidenti Trump, i cili vazhdon të kryesojë në anketime, mungoi dukshëm në këtë aktivitet.

Megjithatë, aty ishte i pranishëm ish-Nënpresidenti Mike Pence, i cili pritet të njoftojë kandidimin javën e ardhshme, ndërsa mundohet të distancohet nga ish-eprori i tij.

“Duhet t’u rezistojmë politikave të personalitetit dhe joshjes nga populizmi, për të mbajtur më shumë parimet konservatore që u qëndrojnë kohërave”, tha zoti Pence.

Raundi i parë i votimeve paraprake të Partisë Republikane do të mbahet pikërisht në Ajova, në fillimet e vitit 2024.