Aktualitet

Kandidaturat për kreun e PD-së, sot mbledhja e Kryesisë!

Sot në orën 18:00 mblidhet Kryesia e Partisë Demokratike për të miratuar kandidaturat për kryetar partie dhe rregullat e propozuara nga Komisioni Zgjedhor për votimet e 13 qershorit.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi shpërndau njoftimin për mbledhjen:

Të nderuar anëtarë të Kryesisë, Mbledhja e Kryesisë të dielën, më datë 23 Maj do të zhvillohet në orën 18:00. Rendi i ditës: Miratimi i kandidaturave për Kryetar. Miratimi i rregullave të propozuara nga Komisioni Zgjedhor për procesin zgjedhor. Lutem të sigurohet pjesëmarrja në mbledhje! Me respekt, Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi!

Përballë Lulzim Bashës i cili garon për një tjetër mandat, janë katër emra. Pas Fatbardh Kadillit e Edith Harxhit, dje zyrtarizuan kandidaturat edhe Ibsen Elezi e Agron Shehaj.

Vetë Basha e ka dorëzuar zyrtarisht formularin e kandidimit për kreun e Selisë Blu ndërsa kohët e fundit janë shtuar zërat që i kërkojnë largimin nga drejtimi i kësaj partie, pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli e cilësoi garën “asimetrike” ndërsa Edith Harxhi si “të pambështetur në rregulla”. Ish-kryedemokrati i Kukësit, Ibsen Elezi përsëriti kërkesën për dorëheqjen e Bashës që sipas tij “të mund të garantohen kërkesat e statutit të PD-së, për shanse të barabarta në zgjedhje”. Sa i përket Agron Shehajt, i zgjedhur deputet në zgjedhjet e 25 prillit e mes emrave më të votuar të demokratëve, ai është shprehur se “konkurrimin nuk e sheh si garë për post por si përpjekje të përbashkët”.

Kandidati për Kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, i bën thirrje Bashës, të përballen në një debat publik ndërsa ka edhe disa kërkesa për Kryesinë e PD-së.

Të miratojë sa më parë kandidaturat që kanë kërkuar të jenë në garë, të miratojë modalitetet për mbledhjen e aktiveve të degëve ku kandidatët me kohë të barabartë të paraqesin platformat e tyre dhe të komunikojnë me anëtarësinë, të procedojë me ngrirjen e administratës së PD-së deri në zgjedhjen e Kryetarit, të pajisë menjëherë kandidatët me listat e plota të anëtarësisë, të organizojë tre debate televizive, të hapura për publikun dhe median, me pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve, në Tiranë, Shkodër e Vlorë.

Unë i kërkoj Bashës një debat publik, nuk është çështje e brendshme e PD-së zgjedhja e kryetarit. E quaj fitore të parë të vetes time që ka nisur me moton: “Një parti e hapur”. E sfidoj z.Basha të pranojë debatin publik!

Ndërkohë, përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike dhe Kryesisë, Grupi “Për PD”-në kërkon që zgjedhjet të mos zhvillohen më 13 qershor por të shtyhen. Sipas përfaqësuesve të tij, “caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë është në shkelje të hapur të kërkesave për garë të ndershme, të besueshme e të dobishme për vetë Partinë Demokratike”.