Bota

Kaos në Sanaa të Jemenit, viktima e të plagosur në përpjekje për të marrë ndihma!

Situatë kaotike në kryeqytetin e Jemenit, të paktën 85 persona humbën jetën dhe më shumë se 300 të tjerë u plagosën në Sanaa. Bilancin e bën të ditur agjencia franceze e lajmeve, AFP. Një rrëmujë e madhe me njerëz që shtynin e shtypnin njëri-tjetrin ndodhi në momentin kur në përfundim të Muajit të Shenjtë të Ramazanit dhe në prag të Fitër Bajramit po shpërndaheshin ndihma humanitare në mjediset e një shkolle në kryeqytetin e Jemenit.

Imazhet e tragjedisë në rrjetet sociale tregojnë skena kaotike pas asaj që ndodhi në zonën Bab el Jemen. Agjencia e lajmeve Reuters raporton se qindra njerëz u mblodhën në shkollë për të marrë ndihmat që arrinin një vlerë prej rreth nëntë dollarësh për person. Bilanci nuk është përfundimtar e burime nga terreni thonë se numri i atyre që kanë humbur jetën dhe i të plagosurve po vazhdon të rritet.

Nga informacionet e para u mësua se ishin rreth tridhjetë të vdekur në Sanaa, kryeqytetin e Jemenit të kontrolluar nga rebelët Huthi. Agjencia e lajmeve Saba, e afërt me rebelët njoftoi se viktimat u dërguan menjëherë në spitalet aty pranë dhe se personat përgjegjës si organizatorë ranë në pranga, si fajtorë për kaosin e shkaktuar.

Në mesin e viktimave ka fëmijë e gra, ndërsa mësohet se të paktën 50 persona të raportuar si të lënduar, aktualisht janë në gjendje mjaft kritike. Rebelët Huthi të lidhur me Republikën Islamike të Iranit që i mbështet morën kontrollin e kryeqytetit të Jemenit nëntë vjet më parë, duke shkaktuar një ndërhyrje të një koalicioni ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite për të përkrahur qeverinë në luftën e brendshme.

Që nga ajo kohë, duhet theksuar se për fat të keq, lufta në Jemen ka marrë qindra mijëra jetë dhe ka nisur një nga krizat më të mëdha humanitare në botë, në këtë vend që konsiderohet më i varfëri i Gadishullit Arabik.