Bota Sport

Kaosi në stadium për finalen e Champions-it, Franca bën analizën!

Ministrja franceze e Sportit, Amelie Oudea-Castera, bën të ditur se “tifozët e Liverpool-it pa bileta të vlefshme, shkaktuan problemet e vonesat në nisjen e finales së futbollit të Champions League”, të zhvilluar në Paris, më 28 maj. Finalen e fitoi Real Madridi që mundi Liverpool-in me rezultatin 1-0.

Për kaosin në stadium, anëtarja e qeverisë së Francës fajësoi ato që i cilësoi “organizime masive të personave me bileta të rreme”.

Ndërkohë, edhe të rinjtë francezë që tentuan të hyjnë me forcë në stadium, përkeqësuan situatën.

Tifozët e Liverpool-it kritikuan përgjigjen e policisë franceze dhe sekretarja britanike e Kulturës, Nadine Dorries, i përshkroi zhvillimet si “tejet shqetësuese”.

Po ashtu, agjentët në Francë u kritikuan ashpër për faktin që përdorën gaz lotsjellës dhe spray djegës ndaj disa tifozëve të Liverpool-it, teksa prisnin për të hyrë në stadium.

Për të adresuar shqetësimet e ngritura lidhur me zhvillimet e dy ditëve më parë, këtë fillimjavë pritet një takim mes drejtuesve e përfaqësuesve të Ministrisë për Sportin në Francë, Federatës Europiane të Futbollit, asaj franceze të Futbollit, zyrtarëve të stadiumit dhe policisë. Qëllimi është të nxirren gabimet e përgjegjësitë e atij organizimi, për të mos u përsëritur në të ardhmen. Pas dy vitesh, Parisi do të jetë mikpritës i Lojërave Olimpike Verore 2024, si dhe i Kampionatit të Ragbit më 2023-in.

Të shtunën, Reali arriti që kundër Liverpool-it të fitonte për herë të 14-të Champions League-n. Ky sukses i “Los Blancos” tregon dominimin e spanjollëve në këtë kompeticion ku ekipet e La Liga-s kanë arritur të fitojnë 10 nga 21 edicionet e fundit. Ky fakt u evidentua dhe nga faqja zyrtare e kampionatit spanjoll, që publikoi shifra ku duket qartë diferenca me kampionatet e tyre, me Premier League-n që në shekullin e 21-të ka pasur 5 ekipe fitues e ndjekur nga Seria A me 3, Bundesliga me 2 trofetë e fituara nga Bajerni dhe kampionati portugez që krenohet me suksesin e Portos, në vitin 2004.