Bota

Kapriçot e motit, 1 viktimë e 15 të plagosur nga stuhitë në Francë!

Moti i keq, me stuhi ere dhe shira të fuqishëm në Francë ka shkaktuar një viktimë dhe 15 të plagosur, dy prej tyre në gjendje kritike për jetën, siç bëjnë të ditur mediat franceze.

Ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin njoftoi marrjen e masave për të përballuar bilancin e dëmeve, si dhe njoftoi se do t’i propozojë qeverisë, shpalljen e gjendjes së katastrofës natyrore. Gjatë stuhive të forta të një dite më parë, rreth 5 mijë persona mbetën pa energji elektrike ndërsa autoritetet dhanë alarmin nga moti i keq për 65 rajone në Francë. Ndërkohë, 2 mijë e 500 vetë janë angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe deri tani numërohen mbi 3 mijë e 200 ndërhyrje, në ndihmë të qytetarëve të rrezikuar.

Ndërsa kapriçot e motit, bëjnë që Franca të përballet me stuhi, vendi ynë përballet me mot të nxehtë. Nga përqindja e lartë e lagështirës në ajër, sot i nxehti ndihet edhe më shumë në vendin tonë ku sipas shërbimit MeteoAlb, temperaturat variojnë nga 13 në 37 gradë celcius.

Territori shqiptar mbetet nën dominimin e motit të kthjellët, në pjesën më të madhe të kësaj të diele. Kjo situatë meteorologjike do të vijojë deri në orët e vona të pasdites kur pritet kalim i vranësirave në zonat malore, por pa u shoqëruar me reshje shiu.

Ndërkohë, sa i përket parashikimit të motit për nesër, orët e paradites vijojnë nën ndikimin e motit të kthjellët e të nxehtë në të gjithë vendin, ndonëse duke iu afruar pasdites, pritet grumbullim i vranësirave duke gjeneruar shira në zonat malore përgjatë shtrirjes lindore, si edhe zona të izoluara në qendër të territorit. Parashikohet që nata të rikthejë kthjellimet në territor. Nesër, termometri do të shënojë nga 14 në 37 gradë celcius.