Bota

“Kapriçot” e motit, zjarre në Qipro, shira të rrëmbyer në Japoni!

Në jug të Qipros të paktën 4 persona humbën jetën nga zjarret shkatërrimtare që vazhdojnë nga dje dhe po shkatërrojnë pjesën jugore të pyllit Troodos. Sipas Ministrit të Brendshëm, Nicos Nouris, trupat e pajetë u gjetën pranë fshatit Odos, në distriktin Larnaca. Mendohet se viktimat janë egjiptianë që rezultonin të humbur nga një ditë më parë.

Përhapja e flakëve favorizohet nga era e temperaturat e larta. Dje u evakuan banorët e 10 fshatrave në rajonet Arakapas e Larnaca, në veri të qytetit port Limassol.

Ndërkaq, kapriçot e motit kanë krijuar të tjera vështirësi në një tjetër pjesë të botës.

Në Japoni, shirat që vazhdojnë pa ndërprerje në qytezën Atami, në jug të Tokios e bëjnë të pamundur rifillimin e operacioneve të kërkim shpëtimit nga rrëshqitjet e dherave që kanë çuar në 2 viktima e 20 të zhdukur. 130 banesa u shkatërruan e shumë automjete “u gëlltitën” nga balta.

Në zonë ka shumë shtëpi e hotele dhe autoritetet dhanë alarmin për 20 mijë banorë. Ndërkaq, mes Tokios e Osakës rinisi lëvizja e trenave super të shpejtë Shinkansen, e pezulluar mbrëmë për shkak të motit të keq.

Ndonëse Japonia është mësuar me sezonin e shirave që çdo vit zgjat 6 javë në muajt qershor-korrik, meteorologët vërejnë se ndryshimet e motit sa vijnë e bëhen më të paparashikueshme e kjo shihet si pasojë e ngrohjes globale.

Në vetëm dy ditë, prefekturat Kanagawa e Shizuoka, regjistruan një sasi reshjesh shiu të barabartë me mesataren e të gjithë muajit korrik.