Aktualitet

Karaburuni vazhdon të digjet, në Mamurras dëme të mëdha nga zjarret!

Në Vlorë vijon prej një jave zjarri masiv në Karaburun ku sërish pritet sot ndërhyrja e një helikopteri të Forcave të Armatosura për të tentuar shuarjen e flakëve nga ajri.

Terreni i thyer malor e bën të pamundur që në zonë të shkojnë automjetet zjarrfikëse ndonëse prej ditësh, zjarrfikës të ndihmuar nga forca të ushtrisë po përpiqen për lokalizimin e zjarrit.

Po në qarkun Vlorë, vatra ka edhe në kodrat e Radhimës e në malin e Kuçit. Gjatë natës, flakët iu afruan bypass-it të Vlorës.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e evidentoi Karaburunin si të vetmen vatër serioze.

Tani e vetmja vatër serioze ka mbetur Karaburuni, duke përjashtuar disa vatra që nuk përbëjnë rrezik dhe problem. Këtu në Karaburun kemi shmangur deri tani prekjen e Llogorasë dhe shpresojmë që nuk do të ketë zhvillime negative deri në fund. Kemi rreth 60 fluturime me helikopter deri tani që kanë dhënë impakt të konsiderueshëm.

Në një pjesë tjetër të vendit, në veri, konfirmohet se u vunë nën kontroll flakët në Mamurras ku rrezikuan 5 banesa dhe u shuan duke lënë pas dëme të konsiderueshme.

Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara:

Pas orësh të tëra përpjekjesh janë neutralizuar vatrat e zjarrit në zonën e Mamurrasit duke lënë pas dëme të mëdha. Mirënjohje për çdokënd që dha kontribut në këtë ditë të vështirë, së pari për forcat e Zjarrëfikseve Kurbin, Lezhë, Mirditë, Krujë e Kamëz, trupat e Forcave të Armatosura, Policinë e Shtetit e çdo banor të zonës për ndihmën e pakursyer!

Ndërsa deklaroi se zjarri ishte i qëllimshëm, Cara iu bën thirrje organeve kompetente të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës.

U takon organeve kompetente t’u shkojnë deri në fund hetimeve për shkakun e rënies së zjarrit dhe vënien përpara drejtësisë të përgjegjësve të kësaj katastrofe. Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo banori të Kurbinit për kujdes të shtuar dhe përgjegjshmëri, për të mos krijuar situata të tilla që sjellin dëme të pariparueshme dhe rrezik për jetën e njerëzve të tjerë!

Zjarre ka dhe në kullotat e Palokastrës në Gjirokastër ku situata vlerësohet serioze. Përhapja e flakëve favorizohet nga temperaturat e larta. Sipas shërbimit MeteoAlb, sot temperaturat variojnë nga 18 në 40 gradë celcius.