Art & Kulturë Sot Nuk Është e Hënë

“Karantinë për një”, një rrëfim personal kushtuar dhimbjes që la pandemia e COVID-19!

Në këtë episod të “Sot Nuk Është e Hënë”, Koloreto na njohu me një tjetër libër që ai kishte përzgjedhur për rubrikën e sugjerimit të librit. “Karantinë për një” është libri më i ri dhe i katërti i autorit Alfred Lela, i cili është një dedikim për mamanë e gazetarit, e cila nuk jeton më.

Bota prej dy vitesh tashmë është nën tutelën e pandemisë dhe kohët e karantinës nuk kanë kalur pa vëmendjen e shkrimtarëve dhe mes tyre ka qenë dhe Lela. Alfred Lela ia dedikon këtë libër nënës së tij të ndjerë, të cilën e ka humbur gjatë periudhës së parë të pandemisë, në një kohë, kur e gjithë bota ishte e izoluar nën kushtet e rrepta të karantinës.

Një libër kushtuar dhimbjes që pandemia e COVID-19 mbolli kudo. Vetë Lela e përshkroi këtë libër si një rrëfim personal, por që i shërben edhe shoqërisë. Në një pjesë të librit thuhet se:

Arkëmorti i ftohtë, solid, ngjyrë panë me një Krisht të hajthem në kryq, shenjë kjo se vdekje vinte nga një vend i krishtërimit, më doli para syve ashtu siç humnera hapet para dikujt në një majëmal. E përshkova me dorë si të isha duke i ledhatuar kryet e lodhur nga pamjet e kaq shumë mjekëve, dhomave spitalore, kundërmimeve të pranëvdekjes, dëlirëve ndoshta.

Këtë dhimbje e trishtim Alfred Lela e përjetoi në lëkurën e tij kur e ëma iu nda nga jeta dhe për këtë arsye libri “Karantinë për një” thotë se është homazh për më të dashurën e zemrës së tij.

Është homazh për mamën time, shpresoj të jetë duke më parë dhe të jetë krenare.

Shkrimtari Virgjil Muçi tregon se përmes kësaj vepre Lela nuk vjen vetëm si gazetar. Në fjalën e tij lidhur me këtë libër, Muçi është shprehur:

E kapërcen petkun e gazetarit, është një studiues, një shkrimtar, ngrihet mbi këtë emocion dhe dhimbje personale. Libri i tij është një firmë dhe klithmë për dhimbjen e madhe të njerëzimit.