Aktualitet

Kardiokirurgu “i florinjtë” insiston t’i kthehet pasuria e sekuestruar, gjykata refuzon!

Mjeku Edvin Prifti ka kërkuar rikthimin e shumës së parave të sekuestruara me vendim gjykate. Vlera të konsiderueshme monetare iu gjetën gjatë kontrolleve në shtëpinë e tij dhe në llogarinë bankare gjithashtu.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar sot këtë kërkesë të përsëritur të Priftit. Kardiokirurgu i QSUT-së akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërkohë që shuma e sekuestruar është afro 1 milion euro.

Kjo vlerë marramendëse valute cash iu gjet mjekut në shtëpi gjatë kontrollit që SPAK-u autorizoi në kuadër të hetimeve që po kryheshin për korrupsion ndaj Priftit.
Emri i Edvin Priftit doli nga përgjimet në operacionin që çoi në arrestimin e gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, në shkurt të këtij viti.

Mjeku ka deklaruar në media se këto para’ janë me burim nga puna dhe profesioni i tij, por nuk sqaron detajet sesi ka arritur të akumulojë një shumë të tillë parash. Më shumë sesa argumente për të justifikuar paratë, ai përpiqet të kundërpërgjigjet me tituj shkencorë dhe dëftesa e certifikata profesionale.

Por, çështja është se ato tregojnë se ke kualifikim të lartë, por kjo s’të bën për rrjedhojë imun ndaj korrupsionit dhe përfitimeve të paligjshme.