Aktualitet

KAS pranon 18 kërkesa për shqyrtim, lidhur me zgjedhjet e 25 prillit!

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka pranuar 18 kërkesa ankimore për tu shqyrtuar. Shqyrtimi i kërkesave ankimore do të bëhet në nesër nga ora 09:30.

Mes kërkesave që kanë kaluar për shqyrtim janë dhe ato të PD (9 të tilla) dhe LSI (6), të cilat janë pranuar të gjitha.

Po ashtu janë pranuar për tu shqyrtuar edhe kërkesat e 3 kandidatëve të pavarur të VV.

Njoftimi

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve verifikoi elementët e formës dhe përmbajtjes së kërkesave ankimore të depozituara në KQZ.

Në përfundim të verifikimit, KAS vendosi kthimin për plotësim të kërkesave ankimore nr. 32 me objekt “Kundërshtimin e vendimit të KSHZ-së me nr. 345, datë 04.05.2021 “Për miratimin e Tabelës Përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore, qarku Vlorë, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 25 prill 2021” me ankues z. Tasim Mehmeti, kandidat për deputet, qarku Vlorë” dhe nr. 50 me objekt “Shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në qarkun Tiranë” me ankues z. Kostaq Papa, kandidat për deputet, qarku Tiranë (ABEOK).

KAS vendosi mos pranimin për shqyrtim të kërkesave ankimore nr. 45 me objekt “Detyrimin e KQZ për të na pajisur me vendimin per votimin nga jashtë shtetit të qytetarëve të Republikës së Shqipërise në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 Prill 2021” me ankues koalicionin ABEOK dhe nr. 47 me objekt “Rinumërimin e votave për kandidatët në qarkun e Tiranës” me ankues zj. Lediana Fratari, kandidate për deputete, qarku Tiranë (PD-AN)”.

Gjithashtu, KAS vendosi kalim për shqyrtim të kërkesave ankimore nr. 33, nr. 34, nr. 35, nr. 36, nr. 37, nr. 38, nr. 39, nr. 40, nr. 41, nr. 42, nr. 43, nr. 44, nr. 46, nr. 48, nr. 49, nr. 51, nr. 52 dhe nr. 53 me ankues subjektin Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Demokratike e Shqipërisë, dhe kandidatatët e propozuar nga zgjedhësit z. Iljaz Shehu, z. Boiken Abazi, z. Kreshnik Merxhani.

Shqyrtimi i kërkesave ankimore do të bëhet në datën 12.05.2021, duke filluar nga ora 09:30.