Aktualitet Politikë

KAS vendos: Në zgjedhjet vendore PD e Alibeajt!

Në zgjedhjet vendore të 14 Majit do të regjistrohet Partia Demokratike me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn. Vendimi u mor nga KAS, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, duke rrëzuar vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, sipas të cilit duhej firma e Bashës pasi ndonëse i dorëhequr marsin e kaluar, rezulton kryetar i PD-së në regjistrin e partive politike të Gjykatës Tiranë. Më 9 mars, Celibashi i la 48 orë afat PD-së të plotësonte dokumentacionin, por kur kjo nuk ndodhi, nuk e regjistroi. Relatori i çështjes, Koli Bele:

Ankuesi të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, zotin Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar; deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë, detyrimin e Komisionerit Shtetëror të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike, me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda pesë ditëve nga shpallja e tij.

Vendimi u ankimua në KAS e po këtij komisioni iu drejtua edhe PD e Berishës, por iu rrëzua kërkesa ankimore për t’u regjistruar në votimet e majit.

Indrit Sefa, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike të Enkelejd Alibeajt tha se vendimi i kryekomisionerit Celibashi nuk ishte i mbështetur në ligj. Vendimin e KAS-it e quajti të drejtë.

Interpretimet nuk mund të bëhen në kurriz të ligjit, komisioneri duhet të jetë i pavarur. KAS  mori një vendim të drejtë, ky është një moment për të filluar punën për fushatën zgjedhore që është në derë.

Për PD-në e Berishës, vendimi i KAS-it është “skandaloz”. Përfaqësuesi Ledio Nuraj tha se KAS mori atributetet e gjykatës dhe “Alibeajt i dha diçka që edhe ai nuk e kishte kërkuar”.

Sot vendimi i KAS-it është në paligjshmëri të plotë. Sot KAS guxoi të marrë atributet e gjykatës që gjykata nuk e ka bërë në një vit e gjysmë. Edhe vetë Enkelejd Alibeaj nuk e kishte kërkuar. Për ne kjo është një maskaradë. Do ta çojmë në Kolegjin Zgjedhor.