Bota

Kastrim kimik për përdhunuesit serialë në Pakistan!

Autorët e krimeve seksuale, të dënuar për përdhunime të përsëritura mund të pësojnë kastrimin kimik në Pakistan. Siç bën të ditur CNN, parlamenti miratoi një ligj të ri që synon të përshpejtojë dënimet dhe t’i bëjë më të ashpra.

Masa pason protestat publike për një valë përdhunimesh masive ndaj grave e fëmijëve në Pakistan ku po shtohen kërkesat për t’i garantuar drejtësi viktimave të dhunës seksuale. Ligji parashikon që qeveria pakistaneze duhet të krijojë gjykata speciale në nivel kombëtar, për të përshpejtuar proceset mbi akuzat për përdhunime e të sigurohet që rastet e abuzimeve seksuale, të mbyllen me vendime, mundësisht brenda 4 muajve.

Kush shpallet fajtor për përdhunim në grup dënohet me vdekje apo burg përjetë. Aktualisht, më pak se 3% e rasteve të agresioneve seksuale apo përdhunimeve, përkthehen në dënim në Pakistan.

Kastracioni kimik, pra përdorimi i drogave për të ulur dëshirën apo aktivitetin seksual është i ligjshëm në disa vende, mes tyre Polonia, Republika Çeke, pjesërisht në Amerikë e në Korenë e Jugut.

Për organizatën e të drejtave të njeriut, “Amnesty International”, bëhet fjalë për një praktikë “mizore e çnjerëzore”. Amnesty sugjeron që Pakistani të përqendrohet në reforma që fokusohen te shkaqet e thella të dhunës seksuale dhe iu japin viktimave, drejtësinë që meritojnë.