Sport

Katar 2022, mbyllet në barazim 3-3 Kamerun-Serbi, skuadrat ndajnë pikët!

Me barazimin 3-3, Kamerun-Serbi u ndanë në “paqe” dhe secila prej dy skuadrave siguroi pikën e parë në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Kjo ndeshje ishte shumë e luftuar nga të dyja anët, me serbët që dominuan minutat e para, megjithatë golin e parë e gjetën kamerunasit që realizuan me Castelletto në minutën e 29-të. Më pas, Serbia mori situatën nën kontroll dhe barazoi në minutën e 45+1’ me Pavloviç, ndërsa në minutën e 45+3’ Milinkoviç-Saviç përmbysi rezultatin.

Në pjesën e dytë u realizuan edhe tre gola, Mitroviç e çoi në 1-3 rezultatin në minutën e 53’. Kameruni reagoi mjaft mirë dhe ngushtoi diferencën me Aboubakar, i cili gjeti rrugën drejt rrjetës në minutën e 63-të. Ndërsa në minutën e 66-të Choupo-Moting do të realizonte golin e barazimit. Pas këtij takimi, Kameruni renditet në vend të tretë të Grupit G me një pikë, ndërsa Serbia në vend të katërt, po me një pikë.

Kamerun-Serbi ishte e para mes katër sfidave të sotme. Sipas orareve të përcaktuara, tre të tjerat janë:

Më 14:00 Kore e Jugut-Gana
Më 17:00 Brazil-Zvicër
Më 20:00 Portugali-Uruguai

Pas suksesit të pastër 2-0 ndaj Serbisë, pesë herë kampionët e botës, Brazili sot luan ndeshjen e dytë të grupit, atë përballë Zvicrës. Marcos Cafu, ish-mbrojtësi i Milanit dhe Romës, kampion bote në vitin 2002, tregoi se Brazili është favorit dhe i tillë do të jetë edhe nëse nuk luan Neymar.

Ne mund të ecim edhe pa Neymar-in, jemi më të fortë.  Kemi një skuadër të madhe, lojtarë me përvojë. Në “Rusi 2018” i vetmi “burim” ishte Neymar, tani jo. Neve do të na mungojë Neymar sepse ai mund të bëjë diferencën në çdo moment, por Brazili nuk mund të varet prej tij. Le të shpresojmë që kyçi i këmbës t’i shërohet. Pa të, Brazili mbetet shumë i fortë dhe pretendent për Kupën e Botës. Këtë duhet ta kuptojë i gjithë grupi.