Sport

Katar 2022, sot 4 sfida të grupeve G e H/Në fushë edhe Brazili, Portugalia e Zvicra!

Kupa e Botës në Katar, sot luhen katër ndeshje, që fillojnë në orën 11:00 me sfidën e Grupit G Zvicër-Kamerun, për të vijuar me dy të tjera të Grupit H: më 14:00, Uruguai-Kore e Jugut e më 17:00, Portugali-Gana. Po sot, në orën 20:00 të mbrëmjes, përballja Brazil-Serbi, në Grupin G.

Takimet e sotme pasojnë ato të një dite më parë, të një dite që u shënua për fitoren historike të Japonisë ndaj Gjermanisë, duke e mundur me rezultatin 2-1. Trajneri i japonezëve Hajime Moriyasu u shfaq shumë i lumtur në deklaratat pas ndeshjes. Tekniku theksoi se “përbërësi sekret”  i fitores së tyre ishte “puna në grup”.

Lojtarët u bashkuan si një ekip i vetëm. Ne u përgatitëm mirë, ky ishte detaji që çoi ekipin në fitore. Shumë nga tifozët tanë erdhën në Doha, ishin pas nesh dhe na shtynë përpara. Unë dua që ne të ruajmë qetësinë pas kësaj, të shohim se çfarë mund të kishim bërë më mirë dhe të përpiqemi të fitojmë ndeshjen e radhës.

Më herët dje, Marok-Kroaci përfundoi 0-0 ndërsa në mbrëmje, Belgjika e mbylli me fitore ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Kupën e Botës Katar 2022, teksa triumfoi me rezultatin 1-0 ndaj Kanadasë.

Ndeshja ishte shumë e luftuar nga të dyja anët, me Kanadanë që mund të kishte dalë me një pikë nga kjo përballje nëse Davies nuk do të kishte humbur penalltinë në minutën e 11-të.

Nga ana tjetër, Belgjika shfrytëzoi mundësinë në minutën e 44’-rt, me Batshauyi, i cili pas një asisti nga Alderweireld, gjeti rrugën drejt rrjetës.

Në pjesën e dytë të takimit, të dyja skuadrat tentuan të gjenin rrugën drejt rrjetës, por pa mundur të finalizonin siç duhej rastet, duke bërë që ndeshja të mbyllej me vetëm një gol.

Pas përfundimit të ndeshjeve të para edhe për Grupin F, Belgjika kryeson me tre pikë, Kroacia e Maroku mbajnë respektivisht vendin e dytë dhe të tretë me nga një pikë secili, ndërsa Kanadaja renditet e fundit me zero pikë.