Sport

“Katar 2022”, sot ndeshje vendimtare edhe për Kosovën!

Jo vetëm Hungari-Shqipëri, sot në futboll është edhe dita e Kosovës. Në orën 18:00, dardanët synojnë surprizën në “Friends Arena” të Stokholmit ku iu duhet të përballen me Suedinë. Një ndeshje sa e vështirë, aq edhe e rëndësishme për ecurinë e Kosovës në Grupin B kualifikues të eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”.

Pas 5 ndeshjeve të para, Kosova numëron 4 pikë. Në “Friends Arena” do të ketë një mal të lartë për të ngjitur ndonëse pa liderin e ekipit, Zlatan Ibrahimovic që mund t’i zgjidhë ndeshjet me një lëvizje të vetme, edhe Suedia duhet të djersijë shumë për të marrë maksimumin.

Trajneri Bernard Challandes thuajse i ka dhënë fund dilemave për formacionin që do të zbresë në fushë.

Muric do të luajë në portë, ndërsa nga krahët priten Hadërgjonaj e Vojvoda. Rrahmani është i paprekshëm në qendër, ndërsa Fazliu ka gjasa të luajë para Alitit. Mesfusha do të jetë me katër lojtarë, nga krahët Rashani e Bytyqi. Kastrati ishte opsion, por ka patur probleme ditët e fundit. Në qendër janë projektuar Loshaj e Dreshjevic; në sulm Muriqi do të mbështetet nga Milot Rashica.

Kosova, formacioni i mundshëm (4-4-1-1): Muric, Hadërgjonaj, Fazliu, Rrahmani, Vojvoda, Loshaj, Dreshevic, Rashani, Bytyqi, Rashica, Muriqi.