Sport

Kategoria Superiore, Tirana e Kukësi në kërkim të fitoreve!

Sot luhen sfidat e fundit të javës së dytë të Kategorisë Superiore, Tirana e Kukësi synojnë suksesin e radhës. Përballë Egnatias të ngjitur këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar, bardheblutë e Orges Shehit janë në kërkim të konfirmimit e madje dhe progresit në takimin që nis në orën 13:45. Kjo pas startit me fitoren 4-2 ndaj Skënderbeut në ndeshjen e parë, ku nuk munguan sinjalet shpresëdhënëse për një Tiranë pretendente për t’u rikthyer në fronin e futbollit shqiptar.

Pasi përballë korçarëve dhanë sinjale pozitive, kësaj here, Toli dhe Najdovski, rrisin kuotat për të qenë titullarë në vend të Toshevskit e Behiratche. Në portë përvijohet rikthimi i Visar Bekajt, një garanci më shumë mes shtyllave. Ndërkohë, Egnatia në sfidën debutuese mori konfirmimin se misioni në elitë do të jetë i vështirë me humbjen 3-1 ndaj Kukësit. Por premisat për të bërë mirë për skuadrën e Rrogozhinës nuk mungojnë, falë investimeve për ndërtimin e një skuadre të denjë për elitën, me elementë që e njohin mirë Superioren, si Telushi, Shtubina, Krasniqi, Imeri e të tjerë.

Më 16:45, vëmendja spostohet në “Elbasan Arena”, ku Kukësi pret Kastriotin. Verilindorët treguan një nivel të kënaqshëm në sfidën e javës së parë ndaj Egnatias dhe sot kërkojnë konfirmimin me një tjetër sukses kundrejt krutanëve. Nga ana tjetër, krutanët e nisën sezonin me humbje ndaj Dinamos dhe pritet të vuajnë jo pak në javët e para, për shkak të një merkatoje të vonuar, pasi shumë lojtarë janë afruar rishtazi e duhet kohë për t’u përfshirë në manovrën e lojës së ekipit.

Java nisi të premten me ndeshjen Dinamo-Laçi që u mbyll në barazim 1-1 dhe i njëjti rezultat për dy takimet e djeshme: Skënderbeu-Partizani e Vllaznia-Teuta.