Aktualitet

Katër ditë pa autor/ Policia dhe prokuroria nuk po arrijnë të zbardhin sulmin terrorist mbi Top Channel!

Sot u mbushën katër ditë dhe policia e prokuroria e Tiranës nuk japin as shenjën më të vogël se po zbardhin sulmin terrorist të mëngjesit të 27 marsit ndaj selisë qendrore të Top Channel në Mëzez. Blutë vendosën edhe një shpërblim 100 mije euro për këdo që ka informacion në lidhje me atentatorët. Por, edhe kjo lëvizje dështoi e nuk po jep rezultatin e duhur.

Terroristët janë të lirë dhe porositësit e tyre të qetë se nuk do zbulohen.

Dështimi për zbardhjen e kësaj ngjarje do të ketë pasoja shumë të rënda, jo vetëm në pasigurinë e përgjithshme, por edhe ne revanshin që krimi merr në këto raste kur përballet me pafuqinë e shtetit për t’u përgjigjur.

Tre persona të organizuar si grup kriminal që pasi kryen sulmin terrorist ndaj Top Channel enden të lirë dhe përbëjnë një rrezikshmëri të lartë. Ata treguan se nuk ngurojnë të përdorin armët e zjarrit apo të planifikojnë një ngjarje kriminale, si ajo që u krye katër ditë më parë në Top Channel ku humbi jetën punonjësi i sigurisë, Pal Kola.

Policia duket se hetimet i ka në vendnumëro, ku megjithëse kanë kaluar katër ditë, pra një kohë e mjaftueshme, autorët po fshehin gjurmët e tyre apo edhe më keq të largohen nga Shqipëria dhe policia nuk ka asnjë të dhënë në lidhje me identitetin e tyre.

Mund të guxojmë të themi se është një mungesë serioziteti e institucioneve shtetërore për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, jo vetëm nga policia e cila është angazhuar, por duke qenë e vetme, vetëm një polici vendore për hetimin e kësaj çështje që ka rëndësi kombëtare dhe nuk janë angazhuar të gjitha strukturat e shtetit Antiterrori e Shërbimi Informativ. Nga ana tjetër edhe prokuroria ka në cilësimin që i ka bërë veprës penale, “Vrasje në rrethana cilësuese me pasojë humbjen e jetës”. Ky duhej të konsiderohej një akt terrorist pasi është i tillë e ka ngjallur shumë terror.

Kamerat e sigurisë treguan se autorët kanë lëvizur dy herë në të njëjtin itenerar. Si para, ashtu edhe pas ngjarjes, policia nuk kishte ngritur asnjë postbllok. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka thënë se akset kombëtare do të monitorohen nga FNSH-ja për rritjen e sigurisë, por ngjarja në Top Channel e nxori zbuluar dështimin e këtij propozimi. Nuk është vetëm rasti i TCH, por më flagranti ku autorët ikin dhe s’ka asnjë emër. /Top Channel