Bota

Katër përfundime nga zgjedhjet e mesmandatit në Amerikë!

Reuters

Demokratët amerikane dolën më mirë nga pritej në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, të mbajtura dje. Por, për shkak se numërimi i votave ende vazhdon në disa shtete, ka mundësi që republikanët të përfundojnë me kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, si edhe të Senatit.

Roli i Fettermanit

Fitorja e demokratit, John Fetterman në Pensilvani kundrejt republikanit Mehmet Oz u jep demokratëve edhe një vend në Senat, që aktualisht është i ndarë 50 me 50. Kjo do të thotë se republikanët duhet të fitojnë të paktën tre vende në Xhorxhia, Arizona e Nevada, për të marrë kontrollin.

Për Fettermanin, i njohur për veshjen e xhupave me kapele në vend të kostumeve, fitorja isht edhe triumf personal, pas një sulmi që muaj më parë pësoi në kokë. Rivali Oz, me profesion mjek, vuri në pikëpyetje aftësinë e tij për të kryer detyrat. Në shumë vizita në rajonet rurale të shtetit, foli për krijimin e vendeve të punës për klasën punëtore, çka iu shpagua, duke fituar në të njëjtat qarqe rurale ku më 2020-ën fitoi edhe Donald Trump.

J.J. Abbott, i cili ka qenë sekretar shtypi i ish-guvernatorit të Pensilvanisë, Tom Wolf, vlerësoi Fettermanin për performancën e tij, por tha se shqetësimet e votuesve për të drejtat e abortit dhe integritetin e zgjedhjeve, gjithashtu ishin faktorë. Fetterman zhvilloi një fushatë autentike dhe të fortë, që në mënyrë efektive mposhti një mori sulmesh.

Aborti në kutitë e votimit

Nëse demokratët përfundojnë duke zvogëluar humbjet në Dhomën e Përfaqësuesve e duke mbajtur kontrollin e Senatit, çështja e të drejtave të abortit do të konsiderohet si meritë. Nw qershor, Gjykata e Lartë kufizoi ndjeshëm të drejtën e abortit. Në Miçigan, guvernatorja demokrate, Gretchen Whitmer, e cila u zotua të luftojë për të drejtat e abortit, mposhti rivalin republikan, Tudor Dixon.

Në Miçigan, votuesit miratuan edhe një dispozitë që i jep mbrojtje kushtetuese abortit. Kjo do të thotë se ligjvënësit republikanë do të përballeshin me pengesa të mëdha në përpjekjet e tyre për të kufizuar procedurën. Sondazhet e kryera nga Edison Research treguan se ekonomia dhe aborti ishin dy çështjet kryesore për votuesit. Për më tepër, 76% e demokratëve thanë se “aborti ishte shtytësi më i madh i tyre për të votuar”.

Distrikti i 7-të i Virxhinias

Rezultatet në një pjesë të Virxhinias kanë dhënë disa sugjerime si po zhvillohet gara për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Analistët thanë se gara midis demokrates në pushtet, Abigail Spanberger dhe republikanes Yesli Vega në distriktin e 7-të të Virxhinias do të jetë një lloj matësi. Distrikti ndodhet në periferi të Uashingtonit.

Spanberger, e moderuar, dikur është konsideruar relativisht e sigurt, por me përkeqësimin e mjedisit politik për demokratët, pasiguritë për të janë rritur. Në zgjedhjet e 8 nëntorit, Spanberger e mundi Vegën, duke sugjeruar se nëse do të ketë një valë republikane, ajo do të jetë më shumë valëz se cunam. Kundërshtimet e Vegës ndaj abortit, Spanberger i ka bërë temë qendrore të fushatës.

Gara në distriktin e 10-të të shtetit, që ndodhet edhe më afër Uashingtonit, ka përfunduar, po ashtu, me qëndrimin e demokrates Jennifer Wexton në detyrë. Republikanët kanë fituar distriktin e parë të Virxhinias, i cili deri tani drejtohej nga demokratja Elaine Luria.

Kjo fitore i afron republikanët më pranë pesë vendeve që u nevojiten për të marrë përsipër Dhomën e Përfaqësuesve. Larg Virxhinias, demokratja Sharice Davids ruajti vendin në Kansas, duke mposhtur me lehtësi kundërshtarin republikan. Ashtu si Spanberger, Davids u konsiderua si më e cënueshme.

Hapi i ardhshëm i DeSantisit

Siç pritej, republikani Ron DeSantis u rizgjodh me lehtësi guvernator i Floridës. Tani, të gjithë sytë janë në hapin e tij të radhës: nëse do të ketë guxim të përballet me Trumpin në nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Që DeSantis po e konsideron garën për Shtëpinë e Bardhë, nuk është më sekret, edhe pse për këtë, ai nuk flet kurrë publikisht. Trump ka lënë të kuptohet se mund të shpallë kandidaturën më 15 nëntor. Në mitingje, u tall me DeSantisin, duke thënë se guvernatori nuk do të ishte garues i fortë për nominimin e Partisë Republikane.

David Jolly, ish-ligjvënës republikan nga Florida, pret që DeSantis të japë sinjale për ambiciet e tij presidenciale. Një sondazh me qytetarët e Floridas, i kryer nga Victory Insights, zbuloi se janë të ndarë në mënyrë të barabartë: 50% për Trumpin dhe 50% për DeSantisin.