Aktualitet

Katet pa leje, kryeministri Rama: Askush nuk më kap me para’!

Në komunikimin e sotëm online, kryeministri Rama tha se nuk fshihet ai pas ndërtimit të kullave, ku janë konstatuar kate pa leje. Në përgjigje të pyetjeve të qytetarëve, Rama u shpreh se “nëse do t’i lejonte ndërtuesit të ndërtonin kulla pa leje, do t’i merrte për vete e jo për shtetin”.

Po të ishte puna për ndërtime pa leje, nuk e di sa vende bosh janë pas meje, për të filluar për të numëruar se kush ka luftuar në këtë vend për ndërtimet pa leje. Po të isha unë pjesë, do t’i lejoja t’i ndërtoja dhe në fund do t’i merrja për vete, jo për shtetin.

Kjo nuk ka pikë logjike. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe ndodh sot për një arsye të thjeshtë, mua nuk më kap dot askush me para’ dhe për mua paraja nuk vjen asnjëherë e para. Të tjerat janë fjalë, faktet janë fakte.

Një ditë pas vendimit që çmimet e reja të energjisë për mbi 800 kWh të mos hynin në fuqi në këtë fillim tetori, kryeministri Rama e nisi bashkëbisedimin duke deklaruar se “fasha do të vendoset në nëntor, duke patur parasysh parametrat” ose siç tha “do i rikthehemi diskutimit, në bazë të parametrave”.

Patëm dy elementë që na kanë ndihmuar ta shtyjmë, jo të heqim dorë nga vendosja e fashës 800 kWH. Elementi i parë janë reshjet. Kemi pasur reshje që kanë shtuar, edhe pse jo në mënyrë të konsiderueshme, nivelin në HEC-e, konkretisht në Fierzë ku është edhe burimi kryesor i prodhimit të energjisë.

Po ashtu pati një trend kursimi që ka bërë që nevoja për energji të jetë shumë më e ulët se parashikimi. Ne këtë nevojë mund të vazhdojmë ta përballojmë pa pasur kërcënim në aspektin financiar. Nëse trendi i kursimit dhe reshjet do të vazhdojnë, ne do ta kalojmë pa asnjë të papritur tetorin. Në muajin nëntor do të vendoset fasha duke pasur parasysh parametrat, ose do t’i kthehemi diskutimit sërish.